REAGIM I SHOQËRISË CIVILE LIDHUR ME MIRATIMIN E “RREGULLORES PËR PARANDALIMIN DHE MBROJTJEN NGA NGACMIMI SEKSUAL DHE NGACMIMI NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS” NGA UNIVERSITETI I PRISHTINËS

0
75

Deklaratë publike e pjesëtarëve nga shoqëria civile dhe universiteti të përfshirë në procesin e draftimit të rregullores

Më 11 maj 2021, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka miratuar Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës e cila zbatohet për të gjithë personelin akademik, joakademik dhe administrativ. Pas dy dekadave kërkesave të studentëve, njësive akademike dhe të bashkëpunimimit me shoqërinë civile Universiteti i Prishtinës ka aprovuar rregullore për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimit seksual.

Rregullorja e përkufizon ngacmimin seksual si “çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale apo fizike të natyrës seksuale dhe/apo psikologjike, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes.”

Rikujtojmë se ngacmimi seksual konsiderohet formë e diskriminimit në bazë të gjinisë për shkak se i prekë disproporcionalisht gratë dhe/apo i shënjestron ato për shkak se janë gra. Në 52 vite që nga themelimi i UP-së nuk ka pasur asnjë udhëzues apo rregullore që e adreson problemin e ngacmimit seksual, që nxit të gjithë studentët të raportojnë çfarëdo sjellje ngacmuese e diskriminuese në organet kompetente në UP dhe jashtë saj. Prandaj, Rregullorja për mbrojtjen nga ngacmimi seksual është hap i rëndësishëm historik për Universitetin e Prishtinës për respektimin e të drejtave të njeriut, sidomos i të drejtës në mos-diskriminim dhe trajtim të barabartë.

Disa nga aspektet pozitive të rregullores për mbrojtje nga ngacmimi seksual janë:

1) Rregullorja e parasheh një pozitë pune të Zyrtarit/es për mbrojtje nga ngacmimi, i/e cili/a do të jetë përgjegjës/e, mes tjerash, për pranimin e denoncimeve për ngacmim dhe ngacmim seksual, për këshillim dhe informim të palëve lidhur me procedurat e paraqitjes së denoncimit dhe zhvillimin e procedurave disiplinore.
2) Zyrtari/ja mbrojtje nga ngacmimi do të raportojë një herë në vit para Senatit të Universitetit të Prishtinës për numrin e rasteve të paraqitura për këshillim, numrin e rasteve të hetuara, rasteve të përmbyllura dhe masave të shqiptuara ndaj personave përgjegjës për ngacmim dhe ngacmim seksual.
3) Procedura disiplinore për ngacmim seksual zhvillohet brenda universitetit pavarësisht nga procedura penale – pra edhe nëse ka paraqitur personi kallëzim penal në polici për rastin e njëjtë mund të zhvillohet procedura administrative brenda Universitetit.
4) Personat që nuk janë të sigurtë se a dëshirojnë të inicojnë procedurë disiplinore mund ta denoncojnë ngacmimin seksual me raportim jo-formal, të cilin më vonë mund ta kthejnë në denoncim formal.
5) Në rastet ku pretendimet për ngacmim seksual konstatohen si të pasakta, denoncuesi/ja nuk mund të mbahet përgjegjës për deklarim të rrejshëm nëse denoncimin dhe informatat i ka paraqitur me mirëbesim.
Që nga fillimi i punës në këtë rregullore, kemi qenë të përshirë në procesin e diskutimit dhe të grupeve punuese që e kanë hartuar rregulloren mirëpo na duhet ta shprehim pakënqësinë tonë me përmbylljen e këtij procesi. Krejt në fund të procesit, janë përfshirë disa ndryshime në rregullore të cilat ne i kemi kundërshtuar gjatë pjesëmarrjes sonë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë deri në përmirësimin e tyre. Po i përmendim disa nga çështjet që do të vazhdojmë të kërkojmë të ndryshohen në Rregullore:
1) Afati për paraqitjen e raportimit të ngacmimit seksual. Ne kemi kërkuar që ky afat të jetë 5 vite, ashtu siç parashihet edhe me ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, ndërkaq UP ka marrë vendim jotrasparent që ky afat të jetë vetëm 1 vit. Pra, subjektet raportuese mund ta raportojnë rastin e ngacmimit seksual deri në 1 vit pasi të ketë ndodhë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë këtë afat shumë të shkurtër megjithatë rikujtojmë se viktimat pavarësisht nga afati 1 vjeçar i UP-së mund ta paraqesin ngacmimin seksual në polici si vepër penale ose të paraqesin padi për diskriminim në gjykatë.
2) Ne kemi kërkuar që trajnimi për ta kuptuar ngacmimin seksual dhe mbrojtjen nga ai duhet të jetë obligativ edhe për personelin akademik edhe për studentët, ndërkaq kjo është ndryshuar në fund duke ia lënë UP-së diskrecionin që sipas nevojës të përgatitë udhëzues për këto çështje.
3) Barra e provës është përcaktuar se bie në të dy palët procedurale, megjithse kërkesa jonë ka qenë që në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, barra e provës të bie mbi subjektin e dyshuar.
4) Rregullorja përcakton se Denoncuesi/ja detyrohet të nënshkruaj deklaratë për përgjegjësi morale, etike, disiplinore dhe penale që i bart lidhur me denoncimin. Edhe pse kjo mund të jetë menduar sa për ta rikujtuar denoncuesin/en për përgjegjësinë e raportimit, konsiderojmë se është formalizëm i tepruar që mund të ketë efekt frenues te viktimat e ngacmimit seksual në paraqitjen e rasteve të reja.
5) Zyrtari/ja në bazë të Rregullores ka afat 24 ditë pune ta njoftojë Këshillin e Etikës për raportin e denoncimit. Ky afat gjatë procesit të konsultimit dhe draftimit të rregullores ka qenë 24 orë. Afati 24 ditë pune është krejt i papracedent në rregullore, ligje, akte administrative etj. Ky gabim, është shembull i pasojave të mos-transparencës në vendimmarrje, siç ndodhi në fazën e fundit të miratimit të rregullores ku ne nuk u konsultuam e as nuk u njoftuam me draftin përfundimtar.

Megjithë vërejtjet dhe kritikat, ne konsiderojmë se Rregullorja është një kornizë që ofron mbrojtje nga ngacmimi seksual dhe i inkurajojmë të gjithë personat e prekur nga ky fenomen negativ që t’i raportojnë ato në Universitetin e Prishtinës.
Po ashtu, i bëjmë thirrje Universitetit të Prishtinës që zyrtari/ja për ngacmim seksual të emrohet në një proces transparent të monitoruar nga afër prej organizatave të shoqërisë civile si dhe zotohemi që t’i ofrojmë asitencë, ndarje të praktikave më të mira për zyrtarin ose zyrtaren e përzgjedhur për ngritjen e kapaciteteve në trajtimin e raportimeve të ngacmimit seksual. Ne do të ofrojmë ndihmën tonë që të punojmë nga afër me studentët, duke i informuar dhe vetdijësuar mbi ngacmimin seksual.

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet
ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim
Programi Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP
QKSGJ – Qendra Kosovare për Studime Gjinore
RrGK – Rrjeti i Grave të Kosovës
Dr. Ariana Qosaj-Mustafa
Rina Kika