Ambasadori shqiptar një orë mësimi me Shkollën Shqipe në Oakville

0
73

Mësuesit dhe aktivistët e shoqatave shqiptare në Kanada me vite të tëra, sidomos dekadën e fundit, kanë dhënë kontribut të veçantë për ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës shqiptare, qoftë duke hapur shkolla shqipe, qoftë duke aktivizuar të rinjtë në aktivitetet e shumta komunitare këtu. Edhe qyteza e bukur Oakville që gjindet në Ontario ka rreth një dhjetë vite që ka klasën shqipe nën përkujdesjen e mësueses së merituar Merita Alushi, e cila është një shembull i mirë se si të punohet me nxënësit shqiptarë. Këtë fundjavë në klasën e saj ishte i ftuar ambasadori shqiptar në Kanada z. Ermal Muça, i cili u foli nxënësve përmes platformës “Zoom”, dhe përcolli orën e tyre të fundit për këtë vit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook ambasadori Muça shkruan: “Me kënaqësi iu përgjigja ftesës së mësueses Merita Alushi për të marrë pjesë virtualisht mëngjesin e sotëm në seancën përmbyllëse, për këtë vit shkollor, të mësimit të gjuhës shqipe në Oakville të Ontarios.

I lumtur dhe i impresionuar nga njohuritë e vogëlushëve të lindur në Kanada mbi gjuhën shqipe, kulturën, traditat, kulinarinë dhe bukuritë e vendit tonë! I surprizuar nga pyetjet e tyre plot çiltërsi dhe zgjuarsi!”

Ambasadori premtoi se “do të vazhdojmë të jemi pranë jush, të dashur nxënës të shqipes, si edhe përkrah mësuesve, prindërve dhe vullnetarëve duke ju mbështetur, ashtu si deri tani, me abetaret dhe librat e duhur për mësimin e gjuhës sonë të bukur shqipe dhe zgjerimin e njohurive e forcimin lidhjeve me vendin e të parëve. Faleminderit për këtë eksperiencë mbresëlënëse! Pushime të mbara vere!”

Qe prej fillimit te vitit shkollor 2020-2021, që për shumicën e klasave të gjuhës shqipe në Kanada, shkaku i pandemisë COVID- 19 mësimi po mbahet online, dy ambasadorët tanë në Kanada, ai i Shqipërisë z. Ermal Muça dhe ai i Kosovës z. Adriatik Kryeziu, kanë dhuruar libra dhe materiale shkollore, të dërguara nga Qendra e Botimeve të Diasporës në Tiranë. Aty përfshihen një numër i konsiderueshëm abetaresh, libra për mësimin e shqipes dhe një sërë titujsh për lexime jashtëshkollore, si fjalorë dygjuhësh shqip e anglisht dhe disa libra klasikë si “Princesha Argjiro” e Ismail Kadaresë dhe “Tregime të Moçme Shqiptare” të Mitrush Kutelit. Ndër botimet tjera, shkollat e gjuhës shqipe në Kanada kanë marrë si dhurata edhe botimet dygjuhëshe (shqip dhe anglisht) të Qendrës së Botimeve për Diasporën si “E bukura dhe bisha” dhe “Ujku dhe shtatë kecat”, dy nga përrallat e dashura për fëmijët, pjesë e ciklit “Klasikët Dygjuhësh”.

Librat dhe mjetet shkollore të ardhura nga atdheu i janë dorëzuar edhe kësaj klaseje të mrekullueshme, nxënësit e së cilës befasuan ambasadorin me njohuritë e tyre për atdheun./diasporashqiptare