Challandes: Miqësoret e qershorit, mundësi e mirë për lojtarët e rinj

0
32

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në prag të fillimit të përgatitjeve të Dardanëve për ndeshjet miqësore të muajit qershor kundër San Marinos dhe Maltës është paraqitur në konferencë për media, ku ka folur për rëndësinë që kanë këto ndeshje, sidomos për lojtarët që janë ftuar për herë të parë në ekipin kombëtar. “Për këto dy miqësore kam grumbulluar 23 futbollistë dhe nga kjo listë lojtarët e rinj do të kenë mundësi ta tregojnë veten, por edhe ne do të shohim se sa mund të llogarisim tek ata në të ardhmen”, ka thënë Challandes. Ai ka bërë të ditur se nga lista e publikuar paraprakisht janë bërë dy ndryshime, ngase Ibrahim Dresevic ka rezultuar me Covid-19, derisa Arjanet Muric është i sëmurë. Në vend të tyre janë ftuar Betim Halimi dhe Mirlind Daku.

Duke folur për futbollistët të cilët në vend të Kosovës në momentin e fundit po zgjedhin kombëtaret e tjera, siç ishte rasti i Andi Zeqirit, Challandes ka thënë federata dhe ai si trajner duhet të tregojnë se kanë interes për shërbimet e tyre, por më pas janë futbollistët që vendosin. Sipas tij, futbollistët duhet ta ndjejnë si nder dhe krenari përfaqësimin e Kosovës, e jo ta zgjedhin Kosovën vetëm pasi të mbesin pa një opsion tjetër. Sa i përket dy futbollistëve që u pensionuan kohët e fundit nga ekipi kombëtar, Atdhe Nuhiu dhe Anel Rashkaj, Challandes u ka shprehur falënderimet më të sinqerta për kontributin e tyre, teksa ka thënë se shpreson që në ndeshjet e shtatorit do të kenë mundësi që t’i ftojnë ata të përshëndeten para tifozëve. “Dardanët” do të nisin sonte përgatitjet në “Fadil Vokrri” në orën 20:00, derisa miqësoren e parë e luajnë më 1 qershor në kryeqytet kundër San Marinos. Më pas, do të udhëtojnë në Austri, ku më 4 qershor do të ballafaqohen me Maltën. Ndërkaq, për dy ndeshjet e tjera miqësore kundër Guinesë dhe Gambisë në Antalya, përzgjedhësi Challandes do ta publikojë listën e futbollistëve ditën e hënë.