Politikani serb thotë se shqiptarët nuk prishën asnjë kishë dhe asnjë manastir gjatë luftës në Kosovë

0
1891

Ish politikani dhe shkrimtari i njohur serb, Vuk Drashkoviq, e ka pranuar se shqiptarët nuk e prishën asnjë kishë dhe asnjë manastir në Kosovë, gjatë luftës.

Në një intervistë për portalin beogradas “Mondo”, pjesë nga e cila i përcjellë Klankosova.tv ai ka thënë se megjithatë, Serbia e ka humbur territorin e njohur si Kosovë.

“E humbur është Kosova. Nuk ka qenë dashur të jetë kështu – të humbet. Por, në luftë me NATO-n nuk humbi asgjë nga ajo për cfarë ne e konsiderojmë Kosovën. As populli serb, asnjë kishë, asnjë manastir. Humbi territori, që edhe pa humbjen nga NATO, ishte pa serbë”, ka thënë Drashkoviq për “Mondo”, transmeton klankosova.tv. “Sot në Kosovë, por edhe atëherë, nga 11 banorë, vetëm një është serb. Pra, cfarë është e jona këtu? Cfarë po duam ne – territore në të cilat nuk ka serbë”.

Sipas tij, hera e fundit kur serbët ishin shumicë në Kosovë, ishte në kohën e Betejës së Kosovës, më 1389 dhe cdoherë më vonë, ata ishin pakicë. Në kohën e Luftrave Ballkanike, Kosova ishte sic është tashti, me shumicë shqiptare.

Drashkoviq e ka pranuar që tjerët, por më shumë vetë serbët, janë fajtorë pse u humb Kosova.

“Sot thuhet se Aleksandat Vuciq duhet të ruajë Kosovën në Serbi. Në të kundërtën, do ta humb kokën. Kjo është një propagandë e tmerrrshme që po përpiqet të bind popullin serb që Kosovën nuk e humbi Millosheviqi, se nuk u nënshkrua kapitullimi (më 9 qershor 1999 në Kumanovë) dhe se nuk u nënshkruar Rezoluta 1244 (më 10 qershor 1999)”, ka thënë ai. “Pra, po tentohet të bindet populit që të mos pranohet asgjë vetëm se të mendohet ndonjë mit i ri, se Kosova është në Serbi. Pastaj, të akuzohet presidenti i tashëm se është tradhtar dhe se ndoshta mund ta humb Kosovën. Këtë po e thonë ata që ishin mbështetësit më të mëdhenj të Sllobodan Millosheviqit dhe të cilët e shtynë atë të hyjë në luftë me NATO-n, gjatë së cilës u humb Kosova”.

Drashkoviq tha më pas që është e pabesueshme sa lehtë mund të bëhen disa gjëra në Serbi, të cilat i imponohen popullit si obligime.

“Tashti po thuhet se obligimi më i shenjtë është të ruhet Kosova në Serbi. Por, ky është edhe obligimi më i lehtë, pasi atë që nuk e ke, nuk ka si ta humbasësh. Pra, si ta ruash e ta mbash, nëse nuk e ke?!”.