Von der Leyen: Bashkëpunimi ekonomik BE-Rusi gjithnjë e më i vështirë

0
35

Bashkëpunimi ekonomik midis Europës dhe Rusisë po bëhet gjithnjë e më i vështirë, deklaroi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në samitin e BE në Bruksel.

“Shumë përpjekje nga ana jonë gjatë shumë, shumë viteve, pothuajse dekadave për të përmirësuar marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë një sukses”, theksoi ajo.

“Bashkëpunimi ekonomik me kalimin e kohës është bërë gjithnjë e më i vështirë”, tha presidentja duke shtuar se ”ekonomia ruse duhet të modernizohet”.

“Ajo që ne shohim sot është një ekonomi që i mungon modernizimi që do të nevojitej, një ekonomi që varet shumë nga të ardhurat e energjisë dhe një regjim që nuk është i gatshëm të ndërveprojë në mënyrë konstruktive me ne”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se po planifikon propozime të reja për Rusinë në lidhje me gazsjellësin ”Nord Stream 2” në detin Baltik.

Ajo theksoi se opsionet do të diskutohen në një raport mbi marrëdhëniet me Rusinë në fund të qershorit.

”Raporti do të paraqesë opsionet e ndryshme të politikës që do të tregojnë se si mund të merremi me Rusinë”, shtoi ajo./ATSH