Shqipëria, ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë nga orët e punës: Profesionet më me rrezik

0
443

Një studim i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatës Ndërkombëtarë të Punës (ILO) (via Monitor.al) në 194 vende të globit ka gjetur se, orët e gjata të punës rrisin fatalitetet që lidhen më sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru.

Të dhënat e OBSH-së dhe ILO-s tregojnë se, Shqipëria kishte 6.6-7.7 vdekje për 100 mijë banorë, një nga nivelet më të larta europiane. Përveç Shqipërisë shihet se, edhe vendet e tjera të Ballkanit kanë vdekshmëri të lartë për shkak të sëmundjeve që vijnë nga orët e gjata të punës dhe profesionet, raporton Monitor.al.

Sipas të dhënave të brendshme të publikuara nga INSTAT, orët mesatare aktuale javore të punës për të punësuarit me pagë në vitin 2019 ishin 43.4, kohë më e gjatë se në vendet e tjera europiane që punojnë 30-35 orë në javë. Në fakt, i gjithë Ballkani punon më gjatë. Rekordin e mban Mali i Zi, me 44.4 orë në javë, Maqedonia (41.3), Serbia (42.3).

OBSh dhe ILO arritën në përfundimin se orët e gjata të punës rrisin vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë nga sëmundja ishemike e zemrës dhe goditja përmes stresit psikosocial. Rreziku vjen nëpër dy rrugë kryesore:
1. Çlirimi i hormoneve të tepërta të stresit për shkak të punës me orë të gjata mund të shkaktojë çrregullime në sistemin kardiovaskular;
2. Përgjigjja ndaj stresit, ku përfshihet përdorimi i duhanit, alkoolit, dietës jo të shëndetshme, pasivitet fizik dhe çrregullimi i gjumit që ndikojnë keq në shëndetin e zemrës.

Përsa i përket profesioneve, më gjatë punohet në sektorin e prodhimit, me 46.3 orë mesatarisht, në nivele të ngjashme si për meshkujt ashtu dhe për femrat. Sektori i dytë me orë më të gjata është ai i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbimeve të biznesit dhe administrative. Më pas renditet ndërtimi (44.3 orë) dhe bujqësia (43.4 orë).

Burimi: Anabel