Kurti takon kreun e socialdemokratëve të Zvicrës, bisedojnë për mërgatën shqiptare

0
104

Gjatë takimit, një prej temave kryesore ishte mërgata e madhe e Kosovës në Zvicër dhe anembanë botës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim bashkëpresidentin e Partisë Socialdemokrate në Zvicër, Cédric Wermuth.

Ai tha se ky ishte takimi i parë me të në cilësi të kryeministrit por që me kryetarin socialdemokrat të Zvicrës janë miq të vjetër.

“Cédric është bashkëpresidenti i Partisë Socialdemokrate në Zvicër e vazhdues i traditës së Micheline Calmy-Rey. Ajo ishte e para që mbështeste pavarësinë e plotë të Kosovës, ndërsa Cédric e ka mbështetur Lëvizjen VETËVENDOSJE! për vite me radhë. Më përgëzoi për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e interesimin për bashkëpunim e përkrahje, i bindur se puna jonë do të jetë në nivel me pritshmëritë e qytetarëve”, shkruan Kurti.

Më tutje bëhet e ditur se gjatë takimit, një prej temave kryesore ishte mërgata e madhe e Kosovës në Zvicër dhe anembanë botës.

“Biseduam për krijimin e mundësive që mërgata të investojë në atdheun e tyre, por edhe për nevojën që vendi ynë ka për rikthimin e tyre. Bashkatdhetarët kanë fituar përvojë të jashtëzakonshme jashtë vendit, e janë potencial i madh për zhvillim të Kosovës. Me Cédric do të vazhdojmë bashkëpunimin në shumë sfera. I urova suksese në themelimin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Zvicër që pritet të zyrtarizohet në fillim të vjeshtës”, tha Kurti.