Krijohet kriptovaluta kosovare “KosovaCoin”, flet shefi ekzekutiv i saj

0
1873

Monedhat virtuale kanë zënë vend të madh në tregun botëror ku miliona njerëz investojnë në to.

Edhe Kosova është bërë pjesë e kriptovaltuave me “Kosovacoin” që është krijuar së fundmi.

Shefi ekzekutiv i “Kosovacoin”, Artit Muhaxhiri, në një intervistë për Klankosova.tv ka folur rreth procesit të krijimit të kësaj monedhe virtuale dhe investitorëve në të.

“Krijimi i “KosovaCoin” ka nisur gjatë kohës sa isha duke përcjell kriptovalutat tjera dhe pashë se kishte shqiptarë të interesuar në to – atëherë më lindi ideja që të krijoj një kriptovalutë shqiptare ku investitorët e parë do të ishin shqiptarë. Në këtë mënyrë ata do të fitonin më së shumti dhe gjithashtu emri i Kosovës do të njihej anë e mbanë botës e edhe në botën e kriptovalutave”.

“Krijimi mori dy muaj kohë deri në finalizimin e gjithë projektit ndërsa procesi i krijimit ka qenë mjaftë i komplikuar pasi kohë merr krijimi i kodeve”.

Muhaxhiri bën të ditur se deri tani mbi 50 persona kanë investuar në “KosovaCoin” teksa vlera e tregut ka arritur në 12 mijë e 203 dollarë.

“Deri tani kanë investuar rreth 55 persona. Vlera e një “KosovaCoin” është $0.0000000000127136 teksa vlera e marketit është 12 mijë e 203 dollarë”, tha Muhaxhiri për klankosova.tv

Mes tjerash Muhaxheri tha se për vetëm katër ditë me 30 investitorë kanë arritur ta ngritin çmimin për 400 përqind.

“Pritshmëritë tona janë shumë të larta pasi për vetëm katër ditë ne arritëm që me 30 mbajtës ta ngrisim çmimin lartë për 400% teksa tani presim që së paku çmimi t’i kalojë pesë zero”.

Pjesë e “KosovaCoin” janë edhe katër persona që kontribuojnë në mirëmbajtjen dhe ngritjen e saj sa më lartë në treg.

“Deri më tani jemi katër persona që mirremi më së shumti me këtë. Por kjo kriptovalutë do të jetë e komunitetit – që do të thotë se do të ketë shumë mbajtës të saj dhe do të rritet nga vet komuniteti”, tha Muhaxhiri.

Krijuesi i “KosovaCoin” mes pohoi se janë të lumtur që kanë gjetur mbështetjen e shqiptarëve anëembanë botës dhe se duan që rritja e kësaj kriptovalute të bëhet në fillim me shqiptarë e pastaj me njerëz të tjerë.