Kombëtarja U21 nis përgatitjet për sfidën me Andorrën

0
46

Kombëtarja U21 i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023, që do ta zhvillojë më 8 qershor kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Përzgjedhësi Michael Nees së bashku me ndihmësit e tij, Bekim Isufi, Alan Clark dhe Naser Prapashtica e kanë nisur punën me Dardanët e rinj, të martën, në Kampin Edukativ Nacional të FFK-së në Hajvali. Në stërvitjen e parë ishin 21 prej 31 futbollistëve sa janë të përfshirë në listën e zgjeruar të përzgjedhësit Nees.

Pjesa tjetër e futbollistëve do t’i bashkohen ekipit në ditët e ardhshme pasi t’i kryejnë obligimet me klubet e tyre, derisa më pas lista e futbollistëve do të reduktohet në 24, e të cilët do t’i vazhdojnë përgatitjet intensive për duelin me Andorrën.

Disa prej futbollistëve janë për herë të parë pjesë e Kombëtares U21, prandaj ky grumbullim do t’ua mundësojë atyre që të ambientohen me grupin dhe ta njohin më mirë njëri-tjetrin. Stërvitjen e radhës Kombëtarja U21 do ta zhvillojë nesër në orën 11:00, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.