Nis punën biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”

0
45

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në hapjen solemne të “Javës së Bibliotekës” teksa foli për rëndësinë që kanë bibliotekat për qytetarët dhe shtetin.

“Ndihem e nderuar që sot më jepet mundësia të ju përshëndes nga kjo ndërtesë që si studente kam kaluar shumë kohë. Kjo javë vë në pah rolin thelbësor që bibliotekat kanë në promovimin e leximit. Të dashur lexues dhe studiues për ne bibliotekat përbëjnë qendra të ruajtjes së kujtesës tonë të përbashkët dhe të promovimit të vazhdueshëm të saj, prandaj, ne kemi nevojë që ta bëjmë sa më të dukshëm rolin e bibliotekave dhe ta ruajmë funksionin e tyre si një ndër shtyllat e forta të popullit të Kosovës” the presidentja Osmani.

Osmani mes tjerash bëri të ditur se pikërisht në Ditën e Presidentit nis punën edhe biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Kam nderin dhe entuziazmin e veçantë që pikërisht sot në ditën e hapjes së “Javës së Bibliotekës” por edhe në ditën kur me disa aktivitete po e shënojmë Ditën e Presidentit e shpallur si e tillë nga Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova t’ua kumtojë qytetarëve të Kosovës lajmin se nga sot nis punën edhe biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” e ndërtuar sipas modelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e cila po ashtu është fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve tona në radhë të parë por edhe përkrahjes së pakursyer të miqve tanë nga SHBA-të”.

“Këtë vendim do ta pasojë edhe marrëveshja e bashkëpunimit me ministrinë që do ta nënshkruajmë këto ditë përfshirë institucionet vartëse të saj si: Bibliotekën Kombëtare, Arkivat e shtetit dhe Muzeun Kombëtar për ngritjen profesionale të bibliotekës presidenciale”.

Presidentja Osmani mes tjerash bëri të ditur se çfarë do të përmbajë biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Kjo bibliotekë do të mbledhë dhe do të ruaj dokumente zyrtare e personale, artefakte e materiale historike që dokumentojnë historinë e shtet formimit dhe jetën institucionale të Kosovës mbi të gjitha në periudhën e rëndësishme të udhëheqjes dhe kontributit të presidentit historik – por edhe shumë bashkëpunëtorëve të tij të cilët edhe sot i shoh këtu”.

“Misioni i kësaj biblioteke do të jetë që t’ia ofrojë çdo qytetari mundësinë e qasjes në këtë arkiv duke mbështetur kështu hulumtimin dhe kuptimin më të mirë të historisë sonë kombëtare, vuajtjet dhe sakrificat e sfidat nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë. Kjo bibliotekë do të jetë vend që promovon vlerat e demokracisë dhe shtetit të Kosovës që edukon dhe frymëzon gjeneratat e reja”, tha mes tjerash presidentja Osmani.