Aksident tragjik në Itali: Rënia e teleferikut shkakton 14 viktima

0
87

Rënia e një teleferiku në veri në Italisë shkaktoi pasoja të rënda, ku 14 persona ndërruan jetë, mes tyre një fëmijë 9 vjeç, ndërkohë që një tjetër fëmijë, 5 vjeç, është plagosur rëndë.

Një zëdhënës i Korpusit Kombëtar Italian të Shpëtimit Speleologjik Alpin, i cili drejtoi operacionin e shpëtimit, tha se një kabllo u këput të dielën në mëngjes kur një grup njerëzish po transportoheshin me teleferik nga qyteti turistik Stresa në liqenin Maggiore deri në malin Mottarone afër rajonit Piemonte.

Teleferiku ishte duke përfunduar udhëtimin 20-minutësh, rreth 1,491 metra mbi nivelin e detit në majë të malit, kur një kabllo u këput, sipas agjencisë së lajmeve ANSA. Teleferiku u rrotullua rreth 20 metra dhe më pas u përplas në një zonë të pyllëzuar që nuk ofronte mundësi për të hyrë në rrugë tokësore dhe u desh ndërhyrja e helikopterëve.

“Mësova me hidhërim të thellë lajmin e aksidentit tragjik të teleferikut Stresa-Mottarone. Shpreh ngushëllimet në emër të qeverisë për familjet e viktimave, me dëshpërim të veçantë për fëmijët që u plagosën rëndë dhe familjet e tyre.” – tha kryeministri italian Mario Draghi.

Një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve tha se numri i të vdekurve mund të rritet. Gjashtë shtetas izraelitë janë midis viktimave, sipas ministrisë së jashtme e Izraelit, duke përfshirë një familje prej katër personash.

Në vitin 2001, u desh që të shpëtoheshin 40 turistë që mbetën të bllokuar në kabinën e teleferikut të sistemit Stresa-Mottarone e cila ngeci pak pasi u nis. Ky sistem u hap në vitin 1970 dhe u mbyll në vitin 2014 për t’u rinovuar, para se të rihapej dy vite më vonë. Kabinat zakonisht mund të mbajnë deri në 40 persona, por kapaciteti i pasagjerëve u zvogëlua për shkak të koronavirusit.

Prokurorët kanë urdhëruar konfiskimin e teleferikut për hetime të mëtejshme.

Burimet: Guardian, BBC, CNN