OSBE: Sipas ligjit, toka ngjitur me Manastirin e Deçanit duhet regjistruar si pronë e tij

0
85

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, të shtunën ka vizituar Manastirin e Deçanit, duke thënë se toka që është ngjitur duhet regjistruar si pronë e këtij objekti.

“Ambasadori Michael Davenport ka vizituar Manastirin e bukur të Deçanit me Igumenin Sava Janjiq. OSBE-ja në Kosovë do të përkrahë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë, ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me ligjin”, ka shkruar OSBE në Twitter.

Po ashtu, ambasadori Davenport është takuar edhe me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, me të cilin ka diskutuar përmirësimet që janë bërë në transparencë dhe llogaridhënie, si dhe mbështetjen komunale për të strehuar viktimat e dhunës në familje.

“Ambasadori përgëzoi përpjekjet e Muhaxherit për t’u afruar me komunitetet joshumicë dhe për t’u përfshirë në dialog ndërfetar”.