Merkel kundër racizmit në sfondin e manifestimeve propalestineze

0
33

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi sot kundër shpërthimeve raciste ose antisemitike gjatë protestave në favor të çështjes palestineze, pasi tubime të reja janë planifikuar këtë fundjavë në Gjermani.

“Ata që urrejnë hebrenjtë në rrugë, ata që nxisin urrejtje racore, janë në kundërshtim me Ligjin tonë Themelor”, paralajmëroi kancelarja në podcastin e saj javor.

“Akte të tilla duhet të ndëshkohen vazhdimisht”, nënvizoi ajo.

Gjermania ka regjistruar disa manifestime radhazi pas shpërthimit të dhunës këto dy javët e fundit mes Izraelit dhe Hamasit palestinez.

Një armëpushim i brishtë mes dy palëve hyri dje në fuqi.

Të shtunën e kaluar, rreth 60 persona u arrestuan dhe rreth 100 oficerë policie u plagosën si pasojë e përleshjeve të dhunshme gjatë një demonstrate propalestineze në Berlin.

Gjatë kësaj fundjave disa manifestime janë programuar në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit./ATSH