Kryekuvendari Konjufca: Për masakrën e Dubravës duhet një gjyq i veçantë

0
51

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me nënkryetaren Saranda Bogujevci e deputetë të Kuvendit dhe anëtarë të Qeverisë morën pjesë në përvjetorin e masakrës së Dubravës.

Konjufca tha trashëgimia e vetme e Serbisë në Kosovë është gjenocidi mbi popullin shqiptar të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Sipas Konjufcës njëra ndër prej akteve të gjenocidit të Serbisë në Kosovë është edeh masakra e Dubravës ku tha se dihet se cilat struktura të ushtrisë dhe policisë serbe, të grupeve paramilitare kanë qenë të angazhuara drejtpërdrejt në këtë masakër.

”Pra, sa i përket pyetjes dhe çështjes se kush janë përgjegjësit që vranë të burgosurit në burgun e Dubravës prej 19 maj deri më 23 maj 1999, askush në botë nuk ka dyshim. Përgjegjësia i mbetet Serbisë, kriminelët me emër dhe mbiemër dihen, por deri më tani ka munguar vetëm drejtësia”, ka thënë Konjufca, transmeton Klan Kosova.

Kryetari i Kuvendit përsëriti se pa vënien e drejtësisë për të vrarët dhe të masakruarit në Kosovë, familjarët nuk do të mund të ndjehen të qetë dhe tha se institucionet çdo ditë duhet t’i publikojnë me emra dhe mbiemra të gjithë ata policë, ushtarë dhe paramilitarë që kanë marrë pjesë në masakrën e burgut të Dubravës.

”Kjo është një prej masakrave që kërkon një gjykim të veçantë”, ka shtuar Konjufca.

Me rastin e 22 vjetorit të maskrës në burgun e Dubravës, Kryekuvendari Konjufca bashkë me nënën e dëshmorit Bajram Kiçina, Mihrije Kiçina, nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të mbijetuarit e kësaj masakre Nait Hasani, Bislim Zogaj, Bajrush Xhemajli, si dhe kryetarin e PDK-së Enver Hoxhaj dhe atë të AAK-së Ramush Haradinaj, zbuluan lapidarin në të cilin janë shkruar emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të kësaj masakre të tmerrshme.