Dita e dytë e armëpushimit në Gaza, arrijnë karvanët e parë të ndihmave

0
32

Karvanët e parë të ndihmave humanitare kanë mbërritur në Gaza, pas arritjes së armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit.

Mijëra palestinezë u kthyen në shtëpitë e tyre mes skenave të shkatërrimit, për të cilat disa zyrtarë thanë se rindërtimi mund të zgjaste me vite, njofton Klan Kosova.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për krijimin e korridoreve në mënyrë që njerëzit e plagosur të evakuohen.

Më shumë se 250 njerëz u vranë në konfliktin 11 ditor, shumica dërrmuese e tyre në Gaza. Edhe Izraeli edhe Hamasi pretenduan fitoren.

Në Izraelin jugor, banorët festuan armëpushimin por shumë shprehën shqetësimin se një konflikt tjetër në rajon ishte vetëm çështje kohe.

Kamionë nga agjenci të ndryshme të ndihmave, duke përfshirë ato që kanë lidhje me Kombet e Bashkuara, filluan të sillnin ilaçe, ushqime dhe karburant në Gaza.

Më shumë se 100,000 njerëz u desh të largohen nga shtëpitë e tyre në territorin, i cili kontrollohet nga grupi militant Hamas dhe gati 800,000 njerëz nuk kishin qasje në ujë, ka thënë agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF.