IMPAKTI I TEKNOLOGJISE NË ZHVILLIMIN E GJUHËS

0
171

Nga Rudina Hysiqi, logopede

Që nga fillimi i përdorimit të kompjuterit personal në fund të viteve 1970, teknologjia është bërë tipar mbizotërues në jetën e përditshme. Përveç kësaj, është një mjet gjithnjë e më i popullarizuar i komunikimit. Në të kaluarën, fëmijët kanë lëvizur shumë më shumë dhe bota e tyre shqisore ishte e bazuar në natyrë dhe shume më e thjeshtë. Atëherë ata ishin mjeshtër të lojërave në të cilën përdornin imagjinatën dhe nuk kërkonin mbikëqyrje prindërore ose pajisje të kushtueshme për t`u kënaqur.

Fëmijët e sotëm janë ndryshe. Teknologjia ka pasur një ndikim të madh në atë se si ata luajnë dhe komunikojnë. Një studim i Fondacionit Kaiser në 2019- en zbuloi se fëmijët e moshave 4-8 kalojnë mesatarisht 7.5 orë argëtim përmes teknologjisë në ditë. Më tej, studimi gjeti se 75 për qind e këtyre fëmijëve kanë TV në dhomat e tyre të gjumit. Që do të thotë se fëmijët tanë po shpenzojnë më shumë se 30 për qind të ditës duke përdorur teknologjinë. Duke parë këtë, është e domosdoshme të shikojmë efektet që ka teknologjia në zhvillimin e tyre. Në këtë shkrim, spjegohet më tepër ndikimi i teknologjisë në zhvillimin e gjuhës tek fëmijët.

Fëmijët e vegjël e mësojnë më mirë gjuhën përmes ndërveprimit dhe angazhimit me njerëzit e tjerë. Pavarësisht nga teknologjia e re që është futur, kjo ka ndodhur dhe kështu do të vazhdojë të jetë, një fakt të cilin nuk mundemi t`a ndërrojmë. Vitet e para të jetës janë thelbësore për zhvillimin e gjuhës së fëmijëve. Kjo kohë është kur truri është krejtësisht i hapur për të mësuar gjuhën dhe për të formuar rrugët e komunikimit. Të dy këto aftësi do t’i shërbejnë fëmijëve për pjesën tjetër të jetës së tyre. Sapo mbyllet kjo dritare, është më e vështirë të mësosh dhe të zhvillosh aftësitë gjuhësore.

Çdo minutë të cilën fëmijët tuaj e kalojnë para një ekrani është një minutë e humbur në të cilën ata mund të kenë qenë duke bashkëbiseduar dhe duke mësuar me ju. Koha kualitative se bashku me kujdestarët, prindërit dhe vëllezërit e motrat zvogëlohet për shkak të kohës qe i kushtohet ekranit. Një studim zbuloi se fëmijët që janë më pak se një vit dhe që kanë shikuar dy orë televizor në ditë kanë gjashtë herë më shumë gjasa që të kenë vonesë në gjuhë se ata që nuk kanë shikuar. Një tjetër studim zbuloi se fëmijët që kanë parë më shumë se dy orë televizor në ditë kanë rritur shanset për rezultate të dobëta të komunikimit. Ka edhe shumë studime të tjera që tregojnë lidhjen e hershme të konsumit të TV-së dhe vonesës së gjuhës dhe komunikimit dhe ndikimin negativ në suksesin e tyre akademik. Koha para ekranit ka qenë gjithashtu e shoqëruar edhe me problemet e kujtesës afatshkurtër dhe me leximin. Të dyja këto ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për të mësuar gjuhën.

Në të vërtetë, nuk është tërësisht teknologjia që po shkakton probleme. E vërteta është mungesa e kohës që ne si shoqëri e kemi, dhe atë pak kohë nuk po e shpenzojmë në bashkëveprim me fëmijët tanë në mënyrë kuptimplotë. Është e lehtë për të fajësuar teknologjinë, por në realitet, prindërit janë ata që kontrollojnë kohën e fëmijëve të tyre me këto pajisje. Por, në fund të ditës, teknologjia nuk është ajo që po shkatërron fëmijën tuaj – ajo e ka kohën dhe vendin e saj. Krejt në fund, teknologjia mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t`a ndihmuar arsimin dhe mund të jetë një burim argëtimi nëse kontrollohet dhe përdoret me vend.