“Totem dhe Tabu” sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

0
26

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton premierën e shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me koreografi nga Robert Nuha dhe dramaturgji të Zana Hoxhës, të martën me 18 maj, në ora 19:30.

“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

Shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologjeve. Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.

Në një kohë para dhe gjatë pandemisë personazhet tona adaptohen, ndryshojnë, evoluojnë por edhe ballafaqohen me frikërat e tyre më të fshehta dhe të pa arsyetuara. Ato ngrenë kokë si pasojë e izolimit dhe shkaktojnë histeri, paranojë dhe reflektim lidhur me vrasjet, kanunin e traumën ndër gjenerata, si dhe përpjekjet e pandalshme për dashuri e paqe të brendëshme.
Gjetja e qetësisë dhe paqes pas stuhive të mëdha të ndërlidhura me dhunën emocionale, fizike dhe traumat e së kaluarës ndërthuren me traditat si Totem i bartur ndër gjenerata, të ndërlidhura me kanunet dhe zakonet që shpeshherë shtypin dhe promovojnë pabarazi dhe të cilat ende barten si mbetje të kaluarës në gjeneratat e reja të grave dhe burrave Kosovar.

Koreograf: Robert Nuha
Dramaturgjia: Zana Hoxha
Aktorët: Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Blerta Gubetini.
Muzika/Piano: Alzan Gashi.
Kostumografe: Yllka Brada
Asistente teknike: Elira Lluka
Ndriçimi: Mursel Bekteshi
Inspiciente: Nazmije Krasniqi
Rrobaqepës: Shemsi Avdiu, Lulzime Halimi, Remzie Haziri

Përkrahur nga: cfd, ABGJ dhe Teatri Kombëtar i Kosovës.

Shënim: Ulëset në teatër janë të limituara, rezervimi dhe
blerja e biletës bëhet në teatër.