Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Turizmit në Shqipëri flasin për sezonin turistik veror

0
30

Në një takim në Golem, ku po kryhet vaksinimi i disa punonnjësve të sektorit të hoteleri-turizmit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, si edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi, njoftuan disa nga planet e ardhshme për sezonin turistik të verës.

Manastirliu u shpreh se ka nisur dezinekfimi në zonat e plazheve, së shpejti do të hapen qendrat shëndetësore verore dhe do të vijojë vaksinimi i punonjësve të këtij sektori.

“Është shumë i rëndësishëm vaksinimi i popullatës që i shërben në radhë të parë mbrojtjes së shëndetit duke ndërprerë zinxhirin e infeksioneve, duke garantuar edhe një sezon turistik më të lehtësuar, por duke mbetur theksi te zbatimi i protokolleve shëndetësore që padyshim do të zbatohen edhe këtë vit. Do të vijojmë që në kuadër të sezonit turistik të mbyllim vaksinimet e punonjësve të sektorit të turizmit brenda muajit maj, që të kemi një lehtësi në funksion të shërbimeve të këtyre strukturave.” – u shpreh ministrja.

Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi tha se Komitetit të Ekspertëve do t’u paraqitet një protokoll i ndërtuar nga dy ministritë përkatëse.

“Edhe pse po shkojmë mirë me vaksinimit, na duhet që së bashku, ekspertët e dy institucioneve tona, t’i paraqesin Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi sërish do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni siç kishim vitin e kaluar, që padyshim ia dolëm të kishim një sezon të kontrolluar.” – tha ai.

“Besoj se do të jetë nje reklamë e shkëlqyer për Shqipërinë paraqitja e një sistemi hotelier-turistik corona-free dhe i garantuar që nuk do të ketë problematika për turistët e huaj,” theksoi në një moment Klosi. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se Shqipëria ka dalë nga zona e rrezikut dhe vaksinimi po vijon me intensitet.