Në Slloveni mbahet Samiti i Bërdo-Brijunit, pjesëmarrëse Vjosa Osmani-Sadriu

0
39

Samiti i Bërdo-Brijunit, nismë e përbashkët e Sllovenisë dhe e Kroacisë, ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane.

Nikoqirë të samitit, që shënon edhe 10-vjetorin e kësaj nisme rajonale, janë Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe ai i Kroacisë Zoran Millanoviq.

Në këtë takim, që zhvillohet sot (17 maj) në Bërdo të Sllovenisë, marrin pjesë Presidentët e gjashtë vendeve të rajonit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ai i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovski President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë dhe nga Bosnja e Hercegvoina, tre anëtarë të presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Albanien Tirana BRDO-Brijuni SummitFotografi nga takimi i Porcesit të Bërdo-Brijunit zhvilluar në Tiranë, maj 2019

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha në prag të këtij samiti se “ka rëndësi të madhe që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t’i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim”.

Një hap i madh përpara në perspektivën evropiane

“Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim do të jetë një arritje dhe një shpërblim për kurajon e këtij procesi, pasi shumica e liderëve të rajonit para dhjetë vjetësh nuk kishin fare raporte dhe nuk bisedonin mes vete”, tha Pahor duke shprehur bindjen se konkluzat që do të miratohen nga Samiti do të jenë një hap i madh përpara në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nga Samiti thuhet se “do të bëhet ftesë për një qasje të përbashkët në procesin e zgjerimit të BE-së dhe po ashtu edhe për bashkëpunim më të madh mes vendeve të rajonit”.

Treffen der Brdo-Brijuni-Länder in SkopjeFotografi nga takimi i Porcesit të Bërdo-Brijunit zhvilluar në Shkup, 2018

Nga zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu që merr pjesë në këtë Samit thuhet se ajo do të ketë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, por nuk përmendet takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq.

“Temat që do të diskutohen në takimin në Bërdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Bërdo-Brijuni në 10 vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE-së, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Presidentes së Kosovës./DW