”Përkëdheljet” e robotëve emocionojnë qeniet njerëzore

0
18

”Përkëdheljet” e marra nga robotët i entuziazmojnë njerëzit dhe i bëjnë ata më të ndjeshëm ndaj makinerive.

Kjo tregohet nga testet në një grup studentësh të angazhuar në bashkëveprim me robotë humanoidë, të kryera në Gjermani, në universitetet e Ruhr Bochum dhe Duisburg-Essen dhe të botuara në revistën ”Plos One”.

Dihet që ledhatimi apo edhe prekja e thjeshtë e një dore kanë efekte të rëndësishme pozitive në marrëdhëniet midis njerëzve, përfshirë aftësinë për të zvogëluar stresin dhe për të përmirësuar funksionet e sistemit imunitar.

Për të eksploruar efektet e bashkëveprimit me robotët, studiuesit Laura Hoffmann dhe Nicole C. Krämer zhvilluan teste me 48 studentë të angazhuar në dialog me Naon, një nga robotët humanoide më të përdorur në laboratorët në të gjithë botën.

Gjatë bisedimeve roboti ”ledhatoi” për disa çaste, në një formë të dukshme spontane, pjesën e pasme të dorës së disa pjesëmarrësve. Në përgjigje të prekjes së robotit, shumica e studentëve buzëqeshën dhe asnjë nuk u zmbraps.

Por, aspekti më i rëndësishëm, sipas studiuesve, është se pjesëmarrësit që ishin përkëdhelur më vonë provuan më shumë të ngjarë të vazhdonin në ndërveprimet me makinerinë dhe të jepnin vlerësime të larta ndaj robotit në pyetësorët në përfundim të testeve.

Rezultatet sugjerojnë që përkëdheljet dhe në përgjithësi ndërveprimet fizike afektive nga robotët janë në gjendje të ndryshojnë perceptimin tonë: një element i dobishëm jo vetëm për të përmirësuar ndërveprimet njeri-makinë, por në të ardhmen për të përdorur robotë për qëllime motivuese./ATSH