“Nje grua më pak, sa herë që një grua flet keq për një tjetër, sa kohe që gratë janë rivale në jetë dhe jo aleate”

0
430

Nga Ambra Hysa

Një grua më pak…

Një grua më pak për sa kohë që do të festohet se lindi “Djalë”.

Një grua do të vazhdojë të mbetet pa emër, sa herë të citohet shprehja “Djalë dhe goja plot”. Një grua do të vazhdojë të mbetet pa gojë dhe pa fjalë.

Është e trishtueshme që ne Gratë ia bëjmë këtë njëra-tjetrës.

Jo në platformat sociale, aty jemi të gjithë mbështetës dhe “perfektë”…por në përditshmëri, atëherë kur një grua hedh vrer mbi një tjetër, duke dobësuar fillimisht forcën e saj dhe më pas të ardhmen delikate.

Do të ndërtojmë kështjella prej rëre sa herë që solidarizohemi me njëra-tjetren për fasadë dhe nuk e tregojmë këtë mbështetje në jetën e përditshme por bëjmë të kundërtën…drejtojmë gishtin dhe hedhim baltë.

Nje grua më pak, sa herë që një grua flet keq për një tjetër, sa kohe që gratë janë rivale në jetë dhe jo aleate.

Një grua me pak, për aq kohë sa vajzat do të rriten duke dëgjuar refrenin “Pusho se je vajzë” , “Duro se je vajzë” , A do të shkosh tek shtëpia e burrit? ” , “Cili burrë të duron kështu” ?, “Vajza lind në shtëpi të huaj “.

Këto fjalë, të cilat nuk thuhen me qëllime dashakeqe në thelb, në vënd që të përmirësojnë, e përmbysin jetën e një vajze, ndikojnë në vizionin e saj që në fëmijëri, shkatërrojnë fuqine e saj, mendësinë dhe të ardhmen e saj si GRUA.
Një vajze, ia presin krahët që në hapat e parë…

“E kam djalë, është shtylla e shtëpisë”, thotë një nënë në maternitet, e cila sapo ka lindur.

Për aq kohë sa Gratë do ti mbështesin endrrat dhe jetën e tyre mbi atë të dikujt tjetër, ky realitet nuk do të ndryshojë.

Edhe sa kohë do të kalojë, edhe sa gra më pak? Derisa të evidentohet që…

Një GRUA, lind në shtëpinë e saj, një GRUA mund të jetë shtylla e shtëpise, familjes, shoqërisë, e një vëndi, sepse një GRUA është shtylla dhe forca e jetës së saj.

Për aq kohë sa edukata për të kërkuar vetëm nga vetja burimin e forcës, mungon edhe në brezat e rinj, do të vazhdojë të ketë një GRUA më pak.

Kjo “luftë” nuk bëhet kundër burrave.
Gratë dhe burrat janë shokët dhe mbështetësit më të mirë të njeri-tjetrit në një shoqëri të shëndoshë.
Eshtë GRUAJA përballë pasqyrës, në heshtje, përballë vetes.

Cila GRUA je ti?…mbrëmjeve, kur heq grimin dhe e lodhur shtrihesh në jastekun e butë ku të shoqërojnë veçse mendimet.

Permes gjithë luf-tës së çmendur dhe pla-gëve të jetës, ka disa gra që janë “mbijetuese”. Ato ndahen nga turma.

I dua këto GRA.

E dua forcën dhe buzëqeshjen e tyre përmes stuhive, dua guximin qe i lexohet në sy.

Gra të thjeshta me një buzëqeshje zemre.

Gra, që e veshin dhimbjen si parzmore.

Gra që i lartësojnë Gratë.

Gra pasionante, me nje besim të palëkundur në ëndrrat e tyre.

Gra frymëzuese që mbajnë aromë dinjiteti.

Perballë pasqyrës në mbrëmje, cila GRUA je ti?/