MBI 80 % TË MUSLIMANËVE NË BOTË SOT JANË JO ARABË!

0
100

Nga Xhabir Hamiti, teolog

Mbi 80 % të myslimanëve në botë sot janë jo arab që luten në gjuhën arabe të Kuranit, e të cilën nuk e flasin dhe nuk e kuptojnë, përfshirë edhe ne shqiptarët me përkatësi islame. Adresimin e Kuranit, përmbajtjen dhe mësimet të cilat dalin nga brendësia e tij nuk mund të kuptohen e as të praktikohen drejtë, pa e ditur edhe domethënien e tyre, prandaj Kuranin, për ata që nuk e dinë arabishten duhet lexuar në gjuhën nga e cila kuptohet përmbajtja dhe diskursi i tij.

Kurani në mesin shoqërive myslimane, më shumë është kënduar se sa që është lexuar, studiuar dhe analizuar, gjendje e cila vazhdon edhe sot !
Por, cilat janë kërkesat thelbësore të tekstit të Kuranit për njeriun në raport me veten, dhe njashtu edhe me misionin e tij në tokë dhe me shoqërinë në të cilën jeton.
Nga leximi i ngadaltë dhe i thellë i Kuranit mund të përmblidhen disa nga to si në vijim:
O njeri !
-Ti je një krijesë e tokës me peshë të madhe , por që ke një fillim dhe ke një përfundim. Lind, rritesh, formohesh, plakesh dhe një ditë vdesë, prandaj mos u bë i padrejtë dhe tiran.
-Ti njeri njashtu je edhe qenia e privilegjuar e Zotit, por edhe krijesa e vetme e tokës e cila, në një ditë-moment të caktuar do të përgjigjesh para Tij, do të gjykohesh për gjithçka që ke bërë në këtë botë- qoftë ai veprim yt edhe në errësirën e thellë, kur ti ke menduar e besuar se nuk të ka parë sy, e nuk të ka dëgjuar vesh njeriu.
-Ty të kam dhënë fuqinë e mendimit, hulumtimit, studimit, analizës dhe krahasimit, dhe të gjitha në funksion të vetës tënde. Prandaj kujdes, se nga e orienton fuqinë e mendimit dhe veprimit, sepse nxjerrja e saj nga parimet e njerëzores të shpie në ferrin e kësaj bote dhe në ferrin e përhershëm të botës tjetër.
– Kur do që të kesh mundësinë e ndarjes së drejtësisë, gjyko drejtë, e mos e përbuz askënd, vetëm pse ke mundësinë që t`i mohosh të drejtën e dikujt padrejtësisht, me vetëdije dhe qëllimisht.
– Jeto me etikë të lartë, me moral dhe sjellje njerëzore. Ecë mbi tokë i qetë, paqësor e jo kryelartë e mburravec, sepse sado që mundohesh ti nuk mund të arrish as gjatësinë dhe as lartësinë e maleve dhe të kodrave në tokë.
– Ti nuk je engjëll, nuk të krijova të tillë që të mos biesh në gabime, por engjëllit megjithatë mund t`i përafrohesh, kur askujt asnjëherë nuk i ja bënë një të keqe apo të lig të cilën nuk do ta dëshiroje edhe për veten.
– E gjithë bota e dukshme dhe e padukshme është e imja, të gjithë njerëzit janë robërit e mi. Dielli dhe Hëna bëjnë dritë për të gjithë ju, por nga rrezet dhe energjia e tyre fitojnë vetëm ata që krijojnë kulturë të punës, punojnë pa hile, si për veten në rend të parë e njashtu edhe për vendin dhe për të ardhmen e fëmijëve të vet.
-Njerëzit pa dallim burojnë nga i njëjti shpirt krijues, prandaj respekto të gjithë njerëzit pa dallimi ngjyre e race, sepse kur ti i respekton ata e respekton edhe vullnetin krijues të Zotit.