Plagët e luftës mbesin të hapura – familjarët kërkojnë që çështja e pagjeturve të jetë pikë kyçe në dialog

0
56
“Sikur institucionet tona të bënin më shumë do e dinte e gjithë bota për krimet që janë bërë në Kosova ku unë kam humbur burrin dhe katër djemtë e mi. Institucionet do të duhej të bënin më shumë – por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre nëse s’kanë ditur ose s’kanë mundur të bëjnë më shumë”.

Dita e 27 prillit njëjtë si para 22 vjetësh mbetet e rëndë për familjarët e 1 mijë e 639 personave të cilët nuk kanë një varr që t’i qajnë më të dashurit e tyre të zhdukur në luftën e fundit.

Ky përvjetor është i vështirë edhe për Nesrete Kumnovën nga Organizata joqeveritare “Thirrjet e nënave” e cila tash e mbi dy dekada kërkon që të di diçka për fatin e djalit të saj, Albionit.

“Tash e 22 vjet ende ka me mijëra njerëz të pagjetur e në mesin e tyre është edhe djali im i vetëm Albioni. Është mëkat mos me i kthy njerëzit e pagjetur në vendin e tyre, ata nuk janë të pagjetur pasi ata janë marrë nga duart e krimineleve që e dinë se ku i kanë vendosur. Por, fati i keq është që Bashkësia Ndërkombëtare nuk e ka bërë presionin e duhur që të paktën të kemi një varr për ta”.

“Datat e shënuara si kjo e sotmja janë shumë të vështira për mua e njësoj janë për të gjithë familjarët e të pagjeturve”, tha mes lotësh Kumnova.

Kumnova në një intervistë për KlanKosova.tv kërkoi që institucionet shtetërore të bëjnë më shumë për fatin e të pagjeturve teksa theksoi se institucionet shtetërore deri tani vetëm bisedime kanë bërë për këtë çështje.

“Institucionet ish dashtë me bë më shumë për nënat dhe familjarët e të pagjeturve, nuk ish dashtë kaq shumë me u mundu ne pasi na shkojë jeta nëpër rrugë e në pritje për të ditur diçka për fatin e më të dashurve tanë. Institucionet kosovare e kanë neglizhuar shumë këtë çështje”.

“Procesi i dialogut që nga fillimi ish dashtë të jetë këmbëngulës për fatin e të pagjeturve dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi që të gjithë të pagjeturit të kthehen në vendlindjen e tyre. Deri tani vetëm bisedime ka pasë”, u shpreh Kumnova.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot do të udhëtojë drejt Brukselit e kjo po i jep pakëz shpresë Kumnovës.

“Sot teksa kryeministri Albin Kurti shkon në Bruksel kemi shpresë pak më të madhe që do të ketë një shtysë që familjarët tanë të kthehen në shtëpitë e tyre që të paktën të kemi një varr ku t’i qajmë më të dashuritë tanë. Duke mos ditur asgjë jeta është shumë e vështirë për ne – uroj që të gjithë ata që kanë kompetencë për të pagjeturit të bëjnë më shumë për ta dhe për ne”, tha Kumnova.

Kjo ditë është e rëndë edhe për Ferdonije Qerkezin e cila ka humbur gjithë familjarët e saj në luftë.

Qerkezi për KlanKosova.tv tha se shpreson që të merr vesh diçka për bashkëshortin dhe dy djemtë e saj që i ka ende të zhdukur, teksa trupat e dy djemëve të tjerë janë gjetur kohë më parë.

“Çdo ditë është e vështirë për mua pasi zgjohem e flejë duke menduar për fatin e tyre. Datat e rëndësishme sikur kjo sot janë edhe më të rënda veçse e shtojnë mërzinë që ne familjarët e kemi përditë”.

“Uroj që të marrin hapa drejtë fatit të të pagjeturve dhe të paktën ne familjarët të dimë diçka për më të dashurit tanë”.

Nënë Ferdonija mes tjerash kërkoi që institucionet shtetërore të bëjnë më shumë rreth të pagjeturve.

“Institucionet tona nuk kanë bërë aq sa duhet për të pagjeturit njësoj edhe ndërkombëtarët që çdo herë kanë tentuar t’i humbin gjurmët. Por vetëm me insistimin e ne familjarëve e kemi sjell çështjen e më të dashurve tanë deri këtu”.

“Sikur institucionet tona të bënin më shumë do e dinte e gjithë bota për krimet që janë bërë në Kosova ku unë kam humbur burrin dhe katër djemtë e mijë. Institucionet do të duhej të bënin më shumë – por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre nëse s’kanë ditur ose s’kanë mundur të bëjnë më shumë”.

Bajram Qerkini i cili e ka të zhdukur djalin që nga lufta e njëherit është edhe kryetar i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve vazhdojnë të jetojnë në ankth.

“Ju falënderoj të gjithëve e më shumë për familjarët që akoma kanë një ankth qe më shume se 21 vite. Nuk është bërë shumë për personat e zhdukur. Kërkesë familjarëve është tu kthehen të dashurit e tyre që u kanë mbetur në kanta te bërllogut”.

“Qeveria e re duhet të bëjë më shume jo vetëm në zbardhjen e të pagjeturve por edhe të kujdeset për pasardhësit e këtyre familjarëve, pra duhet ti hap sytë më shumë”, tha ai në homazhet që u bënë në Prishtinë për 27 Prillin – Ditën e të Pagjeturve, njofton Klan Kosova.

Pikërisht në këtë përvjetor organizatat si: Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Humanitarian Law Center Kosovo (HLC) dhe Forum ZFD kanë ftuar qytetarët që në orën 20:00 t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë e tyre për 5 minuta në kujtim të të zhdukurve.

“Duke kaluar 5 minuta në errësirë do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilin ndodhen familjarët e 1,639 personave të pagjetur tash e 21 vite. Ndalja e dritave, tashmë është shndërruar në aksion tradicional, me anë të së cilit çdo vit, në të njejtën ditë, në të njejtën kohë, bashkë do të kemi mundësi ti kujtojmë personat e pagjetur” thuhet në njoftimin e tyre.