Ramë Lahaj për sallën koncertale: Më irriton fakti që të ruhet ‘Gërmia’, ky objekt nuk përfaqëson asgjë hiç

0
171

Nga Ramë Lahaj

Më gëzon tej mase fakti që Prishtina do të bëhet me një sallë koncertale, për të cilën realisht jemi vonuar.

Me irriton fakti që është bërë shumë presion që të ruhet objekti Gërmia që s’ka asnjë vlerë dhe nuk përfaqëson bash asgjë hiç, por që për taksirat na e jep një sallë të improvizuar e t’arnuar bash si do shtëpi t’djeguna t’pasluftës e t’renovuara që kurrë rahat n’to s’bohesh.

Na janë dashur pritje 20 vjet që BE-ja të na e financojë një sallë koncertale se vet edhe 40 vjet të tjera s’e kishim bo tu e pasë parasysh vetëdijesimin e politikes për artin. Udhëheqësve që ende shkojnë në ahengje ku ‘qitet me allti’.

Jam i irrituar e jo dakord, si profesionist që i kam parë e përformuar në sallat më prestigjioze të botës në të katër kontinentet. Jam i irrituar se s’kemi nevojë për një objekt gjysmak e të improvizuar. Meqë kemi fatin e mbështetjes për një projekt kaq madhor e të rëndësishëm atëherë duhet të mendojmë dhe studiojmë mirë atë në çdo aspekt.

E kam potencuar disa herë që ne na duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin qe t’i kemi të gjitha artet në të, andaj na duhet një sallë e mirëfilltë e jo e improvizuar marrë parasysh që në vet s’ia dolëm ta bëjmë t’u e pasë parasysh realitetin e 20 vjetëve të fundit.

Po i bëj thirrje edhe njëherë, Komunës së Prishtinës, që në qoftë se nuk është e mundur që objekti Gërmia të rrënohet e të ndertohet një qendër e re kulturore, atëherë te gjendet një lokacion që ka qasje të mirë dhe të kemi një qendër artesh funksionale.