Katër të vdekur në burgje për tetë muaj, KMLDNJ del me një propozim

0
47

Për tetë muaj në Kosovë kanë vdekur katër të burgosur me diagnozë terciare, thotë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Prandaj, ky Këshill po thotë se të burgosurve me sëmundje të pashërueshme t’iu mundësohet pezullimi i dënimit duke iu mundësuar që të vdesin në shtëpi, pranë familjes dhe kështu do të ulej edhe numri i personave që vdesin nëpër burgje, njofton Klan Kosova.

“Praktikat e deritashme që, për shkak të diagnozës terciare, sëmundjeve të pashërueshme, të burgosurve t’iu mundësohet ta pezullojnë dënimin e ka një përparësi që i mundëson të burgosurit të vdesë në shtëpi, pranë familjes dhe ta ulë numrin e të dënuarve që vdesin në burgje e që menjëherë bëhet lajm, pavarësisht kushteve dhe rrethanave të vdekjes. Në këtë mënyrë i shkaktojnë shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve që bëjnë përpjekje, në kuadër të mundësive që i kanë, të trajtojnë raste të tilla. Qartazi, Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, përkundër vullnetit, nuk ka kapacitete profesionale të mjaftueshme të trajtojë raste me diagnoza terciare kurse trajtimi në Klinikat përkatëse përcillet me shumë pengesa dhe probleme, nga ato logjistikie, deri te ato të sigurisë”.

KMLDNJ ka propozuar që të formohet një Komision i Pavarur Shëndetësor që do të trajtonte këto raste dhe i cili do të dilte me propozime konkrete, jo për pezullim të përkohshëm të dënimit, por për ndërprerje të dënimit.

“Nga kjo ndërprerje do të përjashtoheshin kryerësit e veprave skajshmërisht me rrezikshmëri të lartë dhe që paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme e që do të duhej të saktësohej me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale. KMDLNj propozon që të amandamentohet LESP-i në mënyrë që të dënuarit me diagnoza terciare do të liroheshin nga vuajtja e dënimit ose dënimi do t’iu zëvendësohej me një masë tjetër e që më i përshtatshmi do të ishte arresti shtëpiak”.

KMLDNJ ka thënë se shteti, përveç ndëshkimit për kryerësit e veprave penale që parashihen me ligjet në fuqi, duhet ta ketë parasysh edhe aspektin humanitar për raste që pashmangshëm përfundojnë me fatalitet për të burgosurit përjashtuar rasteve që u cekën në lartë dhe që, në Ligjin e rishikuar do të saktësoheshin qartë duke krijuar një bazë ligjore, edhe për gjykatësit që i trajtojnë këto raste me propozim të Komisionit Shëndetësor, SHKK apo institucioneve tjera.

“Deri sa të kemi paqartësi dhe mungesë të bazës përkatëse ligjore , të burgosurit me diagnoza terciare do të vazhdojnë të vdesin (të tillë janë 20 të burgosur), SHKK -ë dhe SHSHB-ve do të vëhen në situatë të rëndë pa pasur ndonjë përgjegjësi konkrete, familjarët do të dyshojnë se nuk iu është ofruar shërbim i nevojshëm për anëtarë të familjeve që kanë vdekur si të burgosur si dhe dhe do të humbë besimi në këto institucione”.

KMDLNj i ka shprehur ngushëllime familjes së të burgosurit nga Suhareka që vdiq të martën në SHSKUK.