Dështon seanca fillestare ndaj 15 personave për shpërlarje të parave me vlerë mbi 10 milionë euro

0
330

Për shkak të mungesës së disa të akuzuarve, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj 15 personave që akuzohen për disa vepra penale duke përfshirë edhe shpërlarjen e parave, raporton Drejtësia Sot.

Në këtë rast për veprat penale “Organizim i skemave pirameidale dhe të bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandim i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpërlarja e parave”, akuzohen Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Skender Fetaj, Flakron Maqani, Armend Danqeli, Xhavit Krasniqi, Edmond Jakupi, Bylbyl Hebibi, Nexhat Ejupi, Habil Krasniqi, Kreshnik Myrtollari, Tahir Bërbatovci dhe Dodë Rica.

Në seancën e sotme në të cilën pritej të lexohej aktakuza dhe të akuzuarit të deklaroheshin rreth fajësisë munguan Blerim Imeri, Tahir Bërbatovci dhe Edmond Ejupi.

Sa i përket të akuzuarit Imeri, mbrojtësi i tij avokati Fatlum Podvorica, njoftoi gjyqtaren e rastit Suzana Çerkini se i mbrojturi i tij nuk mund të jetë i pranishëm në gjykimin e sotëm për shkak të gjendjes shëndetësore.

I akuzuari Bërbatovci sipas gjyqtares ka pranuar ftesën për këtë shqyrtim mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, ndërsa i akuzuari Ejupi sipas mbrojtësit të tij, avokatit Qëndrim Zogaj, nuk ka pranuar ftesë për gjykimin e së martës.

Nën këto rrethana, gjyqtarja Çerkini theksoi se nuk ka kushte që kjo seancë të mbahet, andaj atë të radhës e caktoi më datë 24 maj 2021, me fillim nga ora 09:30.

Sipas aktit akuzues të ngritur nga ana e prokurorisë speciale, e cila përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, të gjithë këta të akuzuar dyshohet se në periudha të ndryshme gjatë viteve 2013 – 2019, në tërë territorin e Kosovës, kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me Ligjin nr.o4/L-80 për lojërat e fatit për arsye se nuk kanë poseduar leje për të organizuar lojëra të tilla.

Ata gjithashtu akuzohen edhe për veprën penale të kontrabandimit me mallra, ngase kanë importuar automate apo sisteme tjera kompjuterike pa e njoftuar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe pa pasur leje përkatëse për këto aparate siç kërkohet me ligjin për lojërat e fatit.

Përveç kësaj, të akuzuarit dyshohet se me qëllim të fshehjes apo shmangies pjesërisht ose tërësisht nga pagesat e tatimit, nuk i kanë mbajtur regjistrat siç kërkohet me Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë rreth 3 milionë eurosh.

Në fund, kjo aktakuzë i ngarkon 11 nga të akuzuarit edhe për veprën penale të shpërlarjes së parave. Sipas këtij akti akuzues, ata duke e ditur apo duke pasur arsye të dijnë se nga manipulimi i aparateve të lojërave të fatit dhe shmangies së tatimit janë realizuar të ardhura kriminale, këto mjete monetare i kanë paraqitur si të hyra legale në emër të bizneseve me qëllim të fshehjes apo maskimit të prejardhjes kriminale të këtyre pasurive.

Aktakuza pretendon se shuma e shpërlarjes së parave arrin vlerën mbi 10 milionë euro.