Biden fton Putin për një samit të përbashkët

0
52

Presidenti i SHBA, Joe Biden ftoi homologun e tij rus, Vladimir Putin që të ulë tensionet në kufirin ukrainas dhe propozoi që të dy udhëheqësit të zhvillojnë një samit në muajt e ardhshëm, deklaroi Shtëpia e Bardhë.

”Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Putin për të diskutuar një sërë çështjesh, nga kontrolli i armëve te sulmet kibernetike dhe shqetësimet e reja mbi grumbullimin e trupave ruse në kufirin ukrainas”, u tha në një deklaratë.

Presidenti amerikan ka sugjeruar që takimi i tyre të zhvillohet “në një vend të tretë”.

Kremlini konfirmoi propozimin e Biden, por e la të hapur nëse Putini do ta pranonte ftesën.

Samiti i fundit Rusi-SHBA u mbajt në Helsinki në korrik 2018.

Në atë kohë, ish-presidenti Donald Trump ishte i përfshirë në hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale 2016.

Në mars, Kremlini u irritua nga komentet e Biden për Putin ku gjatë një interviste Biden u përgjigj “po” në pyetjen nëse ai e konsideronte Putinin një “vrasës”./ATSH