GLPS: Qeveria duhet synuar që deri në fund të vitit të vaksionojë së paku gjysmën e popullsisë

0
48

Grupi për Studime Juridike dhe Politike i ka renditur disa rekomandime konkrete për Qeverinë Kurti që duhet t’i trajtojë si të parat.

Në një konferencë për media është kërkuar që pandemia të jetë ndër prioritetet kyçe dhe të arrihet vaksinimi i së paku gjysmës së popullësisë.

“Me rastin e sigurimit të sasisë së vaksinave, Ministria e Shëndetësisë duhet që paralelisht të zhvillojë një fushatë sensibilizuese për t’i inkurajuar qytetarët që të vaksionohen, dhe kështu të eliminoj zërat e mundshëm që janë skeptik drejt një gjëje të tillë. Mbrojtja e të drejtave të pacientëve të cenueshëm, modernizimi dhe decentralizimi i mëtutjeshëm i shërbimeve mjekësore, mbajtja e trurit profesionist në Kosovë dhe anëtarësimi në OBSH po ashtu duhet të jenë pjesë e planit qeveritar”, u tha në konferencë.

Këto janë pikat që ka renditur GLPS:

1. Një ndër prioritet kryesore dhe të pa kompromis të qeverisë duhet të jetë menaxhimi i mëtutjeshëm me pandeminë COVID-19. Për të mbajtur nën kontroll situatën me pandeminë, Qeveria e Kosovës duhet që vazhdimisht të rishikoj masat e vendosura konform trendit të infektimit. Përtej kësaj, e rëndësisë më të madhe mbetet testimi i rregullt dhe sigurimi i vaksinave në mënyrë të vazhdueshme. Për të arritur këtë, Kosova duhet të kërkoj mbështetje nga Bashkimi Evropian, por edhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, të cilat kanë dhënë indikacione të qarta për të mbështetur Kosovën në këtë drejtim. GLPS konsideron që qeveria duhet synuar që deri në fund të vitit të vaksionojë së paku gjysmën e popullsisë. Për të arritur këtë duhet të krijohet infrastruktura e nevojshme, duke përfshirë këtu edhe digjitalizimin e të dhënave të të vaksinuarve, në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent dhe të mos lejohet vaksinimi selektiv në asnjë mënyrë. Me rastin e sigurimit të sasisë së vaksinave, Ministria e Shëndetësisë duhet që paralelisht të zhvillojë një fushatë sensibilizuese për t’i inkurajuar qytetarët që të vaksionohen, dhe kështu të eliminoj zërat e mundshëm që janë skeptik drejt një gjëje të tillë. Mbrojtja e të drejtave të pacientëve të cenueshëm, modernizimi dhe decentralizimi i mëtutjeshëm i shërbimeve mjekësore, mbajtja e trurit profesionist në Kosovë dhe anëtarësimi në OBSH po ashtu duhet të jenë pjesë e planit qeveritar.

2. Krahas menaxhimit me pandeminë, Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë të ndërmarrë masa për sanimin e pasojave që solli COVID-19 në ekonominë e vendit. E rëndësisë së menjëhershme është implementimi i drejtë dhe transparent i pakos për rimëkëmbje ekonomike, përkatësisht, mjeteve që kanë mbetur pa shpërndarë, por edhe të siguroj mbështetje të vazhdueshme për ata sektor që preken rëndë nga masat dhe jo vetëm. E dyta, qeveria duhet të bëjë një analizë të thellë të dëmeve të shkaktuara nga COVID-19 në të gjithë sektorët ekonomik dhe të hartoj një plan që adreson nevojat e menjëhershme të sektorit privat. Një aspekt shumë i rëndësishëm që u vu edhe më shumë në pah nga pandemia është edhe informaliteti jashtëzakonisht i lartë në Kosovë.

Prandaj, GLPS konsideron që lufta kundër informalitetit duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë, dhe një gjë e tillë duhet të bëhet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse. Së dyti, qeveria duhet të përpiloj një strategji funksionale për tërheqjen e investimeve të huaja direkte pasi që të njëjtat mbesin parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit, marrë parasysh faktin që Kosova, si shtet në ndërtim e sipër, nuk ka potencial të mjaftueshëm të zhvillohet nga brenda. Në anën tjetër, qeveria duhet konsideruar potencialin e madh të diasporës duke i’u ofruar të njëjtëve mjedis të favorshëm për të investuar. Një aspekt tjetër me rëndësi për ekonominë e vendit është edhe identifikimi i sektorëve strategjik dhe me potencial të lartë zhvillimi dhe të njëjtit të fuqizohen tutje përmes përkrahjes direkte. Kjo do krijonte një identitet ekonomik për Kosovën, gjë që deri tani ka munguar. Angazhim i vazhdueshëm kërkohet në përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe subvencionimi i drejtë i prodhuesve vendor për t’u bërë konkurrues në tregun e BE-së. Për fund, qeveria duhet të rishikoj të gjitha liçencat dhe lejet ekonomike të dyshimta e të cilat mund të jenë lëshuar mbi premisa të interesit të ngushtë financiar ose politik dhe në këtë mënyrë të ndaloj krijimin e monopoleve në sektor të ndryshëm. Qeveria e re po ashtu duhet të krijoj politika të punësimit që u përgjigjen grupeve demografike që hasin në vështirësi për t’u akomoduar në tregun e punës ashtu që të ju ofroj atyre trajnime dhe stimulime për punësim dhe ndërmarrësi.

3. Forcimi i sundimit të ligjit mbetet thelbësor për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Në këtë drejtim, GLPS konsideron që vetingu në sistemin e drejtësisë është reforma e parë dhe më e rëndësishme që duhet nisur menjëherë. Qeveria duhet fokusuar në gjetjen e modaliteteve për realizimin e suksesshëm të këtij procesi. Po ashtu, mbetet thelbësore të reformohet i tërë sistemi i rekrutimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes ndryshimit të mekanzimave ekzistues, si dhe fokus i veçantë duhet vënë edhe në miratimin e Ligjit për Konfliktet Administrative, që është baze për rregullimin e drejtësisë administrative në vend.

4. Në përputhje me premtimin kryesor elektoral, Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë menjëherë një sërë veprimesh për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar jashtëzakonisht të përhapur në vend. Fillimisht duhet të angazhohet në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për deklarim të drejtë dhe të rregullt të pasurisë së zyrtarëve publik, si dhe, duhet të procedoj me finalizimin dhe aprovimin e Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ashtu që çdo aset që nuk mund të justifikohet nga pala (barra e provës), i njëjti të konfiskohet nga gjykata. Për më tepër, për të arritur rezultate konkrete në këtë rrafsh, qeveria duhet që të përkushtohet seriozisht për implementim të duhur në praktikë të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Një fushë tjetër e cila kërkon vëmendje është financimi i partive politike në Kosovë. GLPS rekomandon Qeverinë e Kosovës që të shtyjë përpara projektligjin për Financim të Partive Politike, pa ndryshime dhe në verzionin e tij origjinal, dhe duke marrë për bazë komentet e ofruara nga Komisioni i Venecias dhe shoqëria civile. Poashtu, auditimi i raporteve financiare të partive politike mbetet qenësor.

5. Në anën tjetër, integrimi në Bashkimin Evropian mbetet perspektiva e vetme për shtetin e Kosovës. Instrumenti më i rëndësishëm që Kosova ka për momentin në këtë drejtim mbetet MSA-ja. Prandaj, GLPS rekomandon qeverinë që të aprovoj menjëherë Programin Kombëtar për Zbatim të MSA-së (PKZMSA) si dhe Agjendën për Reforma Evropiane II (ERA II), të cilat ende nuk janë aprovuar. ERA II në asnjë mënyrë nuk duhet aprovuar në mënyrë unilaterale por e njejta të bëhet me aprovim edhe të Zyrës së BE-së në Kosovë, sepse në të kundërtën i humb e gjithë rëndësia. Implementimi i plotë i të dy këtyre dokumenteve strategjike mbetet shumë i rëndësishëm. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në ndërtimin e një dialogu të mirëfilltë me Parlamentin Evropian përmes krijimit të strukturave qeveritare kompetente për të ndërtuar nje komunikim të vazhdueshëm me këtë institucion të rëndësishëm të BE-së. Në të njëjtën kohë, GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës duhet të hartoj një strategji për të lobuar karshi shteteve skeptike sikurse Franca, dhe të bind këto shtete se Kosova në fakt ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizim të vizave, dhe nuk ekziston ndonjë arsye valide për të mos u aprovuar një proces i tillë. Hap tjetër me rëndësi është fillimi i ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha me Greqinë, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Spanjën, me qëllim final njohjen e shtetësisë së Kosovës. Pa njohjen e këtyre pesë shteteve anëtare, rruga e integrimit Evropian do jetë e vështirë dhe me shumë sfida.

6. Një aspekt tjetër shumë që kërkon poashtu përkushtim është Reforma në Administratë Publike, një proces shumë kompleks por me shtytje të madhe nga Bashkimi Evropian. Qeverisja e mirë dhe një administratë profesionale dhe efikase mbesin thelbi i procesit të integrimit Evropian. Ndër hapat e parë që qeveria duhet të ndërmarrë është finalizimi i ristrukturimit të administratës shtetërore, racionalizmi i agjencive ekzekutive, rregullatore dhe të pavarura, dhe organizimi i brendshëm i administrates shtetërore, përfshirë këtu edhe pjesën e klasifikimit të vendeve të punës. Poashtu, qeveria duhet të siguroj një administratë të hapur (Open Government) dhe të fuqizoj sistemin e qeverisjes elektronike (E-Qeverisja). Sa i përket strukturës së qeverisë, mbetet shumë i rëndësishëm miratimi i Ligjjit për Qeverinë duke u mbështetur edhe në rekomandimet e ofruara nga Komisioni i Venecias. Ligji për Paga duhet të adresohet sa më parë në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

7. Ndërsa, në rrafshin diplomatik qeveria duhet angazhuar në reformimin e shërbimit të jashtëm duke e bërë një rishikim të thellë të stafit diplomatik dhe gradave të përcaktuara, me qëllim të pastrimit të misioneve diplomatike nga persona jo-kompetent dhe të emëruar në mënyrë jo-meritore, apo thënë ndryshe, të realizoj një veting ne shërbimin diplomatik. Së dyti, ajo duhet menjëherë të rivendos dhe fuqizoj marrëdhëniet me partnerët strategjik por edhe ato vende që kanë njohur shtetësinë e Kosovës por tashmë kanë shprehur skepticizëm të shtuar. Së treti, qeveria duhet rikthyer vëmendjen tek njohjet e reja potenciale përmes një strategjie të qartë që i kundërpërgjigjet fushatës së ashpër të Serbisë për çnjohje. Së fundmi, Qeveria e Kosovës duhet të marr një qasje proaktive dhe të ndërmarrë hapat e duhur për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare siç janë Këshilli i Evropës, Interpol dhe UNESCO.

8. Në sferën e politikës së jashtme, Dialogu me Serbinë mbetet ndër çështjet kryesore dhe duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga Qeveria e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë me njohje juridike të parezervë duhet të jetë qëllimi final i institucioneve të Kosovës. Gjatë këtij procesi, GLPS identifikon disa parime kryesore mbi të cilat duhet finalizuar ky proces. E para, Qeveria e Kosovës duhet të përpilojë një platformë shtetërore mbi dialogun që përcakton parimet, objektivat dhe temat e bisedimeve. E dyta, konsensusi i përgjithshëm politik duhet t’i paraprijë marrëveshjes finale. Pra, platforma shtetërore duhet të jetë pasqyrimi I pikëpamjeve të të gjitha partive politike parlamentare, dhe konsultimet shtesë me aktorë të tjerë publik si akademia dhe shoqëria civile. Pajtueshmëria e gjerë politike mbi çështje të Dialogut është kriter i patejkalueshëm. Marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje me shtetësinë e saj të shpallur më 2008, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet cenuar territorin e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet ta zhvillojë një dialog proaktiv dhe jo nga pozicioni defanziv dialogues ku Kosova detyrohet të zgjedh në mes të këqijave.

9. Sa i përket arsimit, GLPS vlerëson që mbetet urgjente nevoja për nisjen e një reforme të mirëfilltë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Në të njëjtën kohë, duhet synuar fuqizimi i shkollave profesionale sepse ka një hendek të madh mes nevojave të punëdhënësve dhe asaj çfarë ofertohet në tregun e punës. Njësoj e rëndësishme mbetet ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të personelit arsimor si dhe investimet e vazhdueshme infrastrukturore për arsimin e ulët dhe të mesëm. Në rrafshin e kontrollit të cilësisë, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në profesionalizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Agjencise për Akreditim dhe të synoj riantarësimin në Shoqatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ndër të tjera.

10. Po ashtu, qeveria nuk duhet të injoroj edhe situatën mjedisore në vend. Së fundmi, COVID-19 ka shpërfaqur edhe më shumë planifikimin jo të duhur urbanistik dhe hapësinor në pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës. Thënë këtë, qeveria duhet të trajtoj me seriozitetin më të lartë nevojën për planifikim hapësinor strategjik dhe konfrom standardeve të lejueshme ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk duhet të ketë kompromis kundrejt atyre që tentojnë të degradojnë ambientin. Mbetet thelbësore që të ndalet dhënia e lejeve jo-ligjore për hidrocentrale të ndryshme, e njësoj edhe për ndërtime të tjera të cilat rrezikojnë mjedisin ku jetojmë. Strategjia e gjelbër e qeverisë duhet të përfshij konceptin e transportit kolektiv, dhe e njëjta duhet që së bashku me qeveritë lokale, të investoj në infrastrukturë adekuate dhe alternative që reduktojnë nevojën e përdorimit të automjeteve.