Kundërshtari bashkëpartiak i Vjosa Osmanit: Kush është Nasuf Bejta?

0
78

Përballë vetes për pozitën e të parës së shtetit Vjosa Osmani sot do ta ketë kundërshtar një bashkëpartiak të saj që në garën e fundit për deputet mori mbi 295 mijë vota më pak.

Por, ai do të jetë vetëm formalisht.

Nasuf Bejta pranoi që emri i tij të jetë kundër atij të Osmanit me qëllimin, siç kishte thënë, që shteti të krijojë stabilitet duke u zgjedhur ajo presidente.

“Unë thjesht po kandidoj për ta ndihmuar procesin, në mënyrë që shteti të ketë institucione stabile. Ky stabilitet është i mundshëm vetëm kur ta përmbyllim procesin me zgjedhjen e presidentit të vendit. Pra, unë po vihem në shërbim institucional për ta përmbyllë vullnetin e qytetarëve të shprehur më 14 shkurt”, ka thënë Bejta kur njoftoi se do të jetë kandidat për president të Kosovës.

Bejta ishte kandidat për deputet nga Vetëvendosje si përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë kur mori mbi 5 mijë vota – të pamjaftueshme për të siguruar ulësen e deputetit.

Kush është Nasuf Bejta?

Ai u lind në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë më 3 nëntor 1960 ku edhe kreu shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e përfundoi në gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri derisa studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Si inxhinier i diplomuar ai ka përvojë 32 vjeçare në arsim. Aktualisht punon si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Aktiviteti politik i Bejtës

Bejta kishte të njëjta bindje politike me Osmanin edhe para se t’i hynte garës për deputet në listën e Vetëvendosjes.

Ai është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës në Smrekonicë, anëtar i Kryesisë Qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur kishte dhënë dorëheqje.

Arsye e dorëheqjes së tij të parevokueshme ishte për shkak të konfrontimeve dhe politikave që po e dëmtonin Kosovën, sipas njoftimin që kishte bërë Vetëvendosje kur e prezantoi Bejtën si kandidat për deputet.

“Për mua është nder që të jem në shërbim të interesit shtetëror. E ky vullnet konsiston që vendi të bëhet me president”, kishte thënë Bejta.