“Rusia do të marrë masa shtesë nëse Ukrainës i vjen mbështetje ushtarake nga NATO”

0
56

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia do të marrë masa shtesë për sigurinë e saj nëse SHBA-ja dhe NATO-ja mbështesin ushtarakisht Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Peskov iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me kërkesën e Ukrainës për mbështetje ushtarake nga SHBA-ja dhe NATO-ja nëse situata në Donbas tensionohet.

“Zhvillimi i një skenari të tillë në afërsi të kufirit të Rusisë do të shkaktojë rritjen e mëtejshme të tensionit. Sigurisht pala ruse duhet të marrë masa shtesë për sigurinë e saj. Rusia do të marrë të gjitha masat”, tha Peskov.

Duke vënë në dukje se është e papranueshme dhe e papërshtatshme që të sillet në rendin e ditës çështja se Rusia është armike, Peskov tha se “Rusia nuk kërcënon askënd dhe asnjëherë nuk ka kërcënuar. Në të vërtetë qëndrimi ynë bazohet sipas kësaj”.

Ai e ka cilësuar si “shumë të frikshme” situatën tensionuese në vijën e kontaktit në lindje të Ukrainës dhe ka pretenduar se Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë kryer shumë herë provokime.

Premtimi i Washingtonit për sigurimin e mbështetjes ndaj Kievit

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka njoftuar se Washingtoni i ka premtuar mbështetje Kievit në rast se situata përkeqësohet në Donbas.

Gjithashtu edhe Zyra Presidenciale e Ukrainës ka njoftuar se vendet anëtare të NATO-s që janë në kufi me Ukrainën duhet të forcojnë gjendjen përgatitore për luftë.