Kosova fillon me humbje kualifikimet për Botëror – mposhtet nga Suedia

0
68

Kosova e ka filluar me humbje rrugën për kualifikime në Kupën e Botës, pasi është mposhtur 3-0 nga Suedia

Përfaqësuesja e jonë e filloi mjaftë mirë takimin, duke rrezikuar qysh në minutën e dytë me anë të Vedat Muriqit, por ishte në pozitën jashtë lojë.
Ishte minuta e 12-të kur Suedia na ndëshkoi me anë të Ludwig Augustinsson, derisa Zlatan Ibrahimovic ishte në rolin e asistuesit.

Lojtarët e Kosovës më pas u ndëshkuan me disa kartonë të verdhë si, Vedat Muriqi, Hekuran Kryeziu dhe Florent Hadërgjonaj.

Në minutën e 35-të, mysafirët na ndëshkuan përsëri, duke realizuar tani me anë të Alexander Isak, që mposhti Samir Ujkanin me një top mes të këmbëve.
Pjesa e parë kishte rastet edhe për Kosovën, mirëpo lojtarët tanë nuk arritën t’i konkretizonin ato.
Suedezët filluan 45 minutat e dytë më mirë, duke krijuar disa shanse shënimi, mirëpo aty ishte Samir Ujkani.

Tanët filluan të këndelleshin, duke krijuar një aksion me anë të Milot Rashicës, mirëpo harkimin e tij nuk e arriti Muriqi.

Ishte minuta e 69-të, kur mysafirët fituan një penallti shkaku që Rashica luajti me dorë në zonën e rreptësisë, gjersa Sebastian Larsson realizoi nga pika e bardhë.
Bernard Berisha që u inkuadrua në pjesën e dytë u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga takimi në minutën e 90-të.

Suedia është lider i Grupit B me gjashtë pikë, Spanja me katër, Greqia me një, Kosova dhe Gjeorgjia ende pa pikë./Telegrafi