Lister shpëtoi miliona jetë, zbuloi mjetet antiseptike në kirurgji

0
280

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 60 me radhë e ka Xhozef Lister.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LX –  Xhozef Lister

(1827-1912)

Kirurgu britanik, Xhozef Lister, që ka sjellë i pari mjetet antiseptike në kirurgji, është lindur në vitin 1827 në Apton të Anglisë. Si student i shkëlqyer, në vitin 1852, mbrojti doktoratën në Kolegjin Universitar në Londër. Në vitin 1861 u emërua kirurg në Dispanserinë Mbretërore në Gllazgou, ku punoi për tetë vjet me radhë. Në këtë periudhë e zhvilloi më shumë metodën e tij për kirurgjinë antiseptike. Në Dispanserinë Mbretërore ai punoi në repartin e kirurgjisë. Aty u befasua nga vdekjet e shumta që ndodhnin pas operacioneve. Infeksionet dhe gangrenat ishin të zakonshme. Listeri u interesua për rritjen e pastërtisë në repartin e tij. Por kjo nuk ndikoi në pakësimin e vdekjeve të shumta. Shumë mjekë thoshnin se shkaku i infektimeve ishin papastërtitë rreth spitalit. Por, Listeri nuk u kënaq as nga ky sqarim. Një ditë, gjatë vitit 1856, ai lexoi shkrimin e Lui Pasterit ku u njoh me teorinë se sëmundjet shkaktohen nga mikrobet. Kjo e shpuri në idenë kryesore: Në qoftë se shkaku i infeksioneve ishin mikrobet, atëhere mënyra më e mirë për t’u larguar nga infeksionet pasoperative do të ishte zhdukja e tyre përpara hapjes së plagës. Për këtë, Listeri shfrytëzoi Fenolin (acidin e karbonit), duke marrë edhe një varg masash të tjera antiseptike: jo vetëm larjen mirë të duarve përpara operacionit, por edhe dezinfektimin me kujdes të veglave dhe fashove, që përdoreshin gjatë operacionit. Edhe sallën e operacionit  e spërkati me acid karbonik. Si rezultat i këtyre masave, u pakësuan shumë rastet e vdekjeve. Në periudhën midis viteve 1861-1865 rastet e vdekjeve pas operacioneve te gjinia mashkullore kanë qenë 45 përqind, ndërsa në vitin 1869-15 për-qind.

Studimin e parë për kirurgjinë antiseptike Listeri e botoi në vitin 1867,  por pikëpamjet e tij nuk u kuptuan shpejt. Në vitin 1869 e ftuan që të punonte në katedrën e klinikës kirurgjikale në Universitetin e Edinburgut. Gjatë punës shatëvjeçare aty  emri i tij u bë i lavdishëm. Në vitin 1875 i ra rreth e qark Gjermanisë, ku mbajti mjaft leksione rreth këtyre problemeve. Një vit më vonë shkoi në Amerikë. Megjithatë, shumica e mjekëve nuk i kuptuan mirë pikëpamjet dhe metodat e tij. Nga viti 1877, për 15 vjet me radhë drejtoi katedrën e klinikës kirurgjikale të Kolegjit Mbretëror në Londër. Demonshtrimet në kirurgjinë antiseptike që bëri aty, ngjallën interes të madh në rrethet mjekësore. Si rezultat i kësaj, pikëpamjet e Listerit filluan të miratoheshin gjithnjë e më tepër. Gjatë fundit të jetës së tij, parimet për kirurgjinë antiseptike u pranuan nga gjithë mjekët e botës. Për punën e tij pioniere Listeri fitoi mirënjohjen e të gjithëve. Për pesë vjet me radhë u zgjodh president i Shoqatës Mbretërore Shkencore dhe u bë kirurgu personal i mbretëreshës Viktoria. Ishte i martuar, por pa fëmijë. Vdiq në vitin 1912, 85 vjeç në Volmer të Anglisë. Arritjet e Listerit sollën ndryshime rrënjësore në kirurgji. Falë këtyre arritjeve është shpëtuar jeta e miliona njerëzve. Kirurgët sot mund të kryejnë operacione të tilla të ndërlikuara, që nuk mund t’i kryenin më parë për shkak të infeksioneve të rënda. Për shembull, para një shekulli as që mund të mendohej hapja e kraharorit për operacion. Edhe pse mënyrat bashkëkohore të punës në kirurgjinë antiseptike ndryshojnë nga metodat e Listerit, ato kanë të njëjtat parime bazë dhe janë vijim i parimeve të tij. Ndonjëri mund të thotë se idetë e tij janë kopje e dukshme e ideve të Pasterit. Megjithatë, pavarësisht nga ajo që ka shkruar Pasteri, duhej një njeri që t’i përpunonte dhe t’i popullarizonte metodat për anestezinë kirurgjikale. Fakti që si Listeri, ashtu dhe Pasteri janë përfshirë në këtë klasifikim, nuk do të thotë se e nënvizojmë, dy herë të njëjtin zbulim. Teoria, sipas së cilës sëmundjet shkaktohen nga mikrobet ka gjetur një zbatim kaq të rëndësishëm, sa që merita për këtë i  takon të ndahet ndërmjet Pasterit, Levenhukut, Flemingut dhe Listerit dhe secili prej tyre e meriton që të ketë vendin e vet në libër. Ka edhe një arsye tjetër që Listeri të zërë një vend kaq të lartë në libër. Thuajse 20 vjet përpara tij, doktori hungarez Ignac Zemelvjac (1815-1865), që punonte në spitalin kryesor të Vjenës, kishte treguar në mënyrë bindëse përparësitë e mjeteve antiseptike si në gjinekologji, ashtu edhe në kirurgji. Edhe pse ai u bë profesor dhe shkroi një libër të mrekullueshëm për idetë e tij, përsëri, deri në një farë shkalle mbeti i panjohur. Ndërsa Xhozef Listeri, me atë që shkroi, që mbajti leksione dhe që demonstroi, i bindi mjediset mjekësore për domosdoshmërinë e mjeteve antiseptike në praktikën mjekësore.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Nikolaus Oto.