OKB: Bllokimet pandemike shkaktuan 10 trilionë dollarë dëme në ekonominë globale

0
36

Një reagim më i fortë se sa pritej këtë vit do ta lërë botën me 10 trilionë dollarë dëme ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe lockdown, sipas Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).

Megjithëse ekonomia globale mund të zgjerohet me 4.7% në 2021, ajo do të jetë akoma “më e vogël se 10 trilionë dollarë”, afërsisht dyfishi i Prodhimit të Brendshëm Bruto të Japonisë (PBB), nëse pandemia nuk do të kishte ndodhur kurrë, sipas UNCTAD.

”Vitin e kaluar, ekonomia globale përjetoi rënien e saj më të mprehtë vjetore të prodhimit që kur statistikat e veprimtarisë ekonomike totale u prezantuan në fillim të viteve 1940″, tha UNCTAD në një raport të ri.

”Ndërsa ekonomitë e pasura kanë propozuar shpenzime masive fiskale që të kufizojnë dëmin, të tilla si ajo prej 1,9 trilionë dollarësh në SHBA si paketë stimuluese, ndërsa Kina është kthyer në rritje në fund të vitit 2020, njerëzit në vendet e vogla dhe të varfra po luftojnë ende”, paralajmëroi UNCTAD.

”Vendet në zhvillim po marrin barrën e recesionit për shkak të hapësirës së kufizuar fiskale, kufizimeve të shtrënguara të bilancit të pagesave dhe mbështetjes joadekuate ndërkombëtare, të cilat kanë çuar në disa nga rëniet më të mëdha të të ardhurave personale në raport me PBB-në”, shtoi organizata e OKB-së. /ATSH