Inspektorit të komunës së Prishtinës, i akuzuar për marrje ryshfeti, i rritet për 2 vite e gjysëm dënimi më burgim

0
94

Gjykata e Apelit në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare, ia ka ashpërsuar dënimin më burgim të akuzuarit G.R., inspektor i ndërtimit në komunën e Prishtinës, raporton Drejtësia Sot.

Kështu, nga 1 vjet burgim sa ishte dënuar më date 20 dhjetor 2020, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”, atij i është rritur dënimin në 2 vjet e gjysmë.

Po ashtu, Gjykata e Apelit, të akuzuarit ia ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 5 vjetëve, i cili do të ekzekutohet pas vuajtjes se dënimit me burg. Ndërsa dënimin me gjobë prej 3 mijë eurove, e ka marr si të vërtetuar.

Gjykata e Apelit, gjeti se gjykata e shkallës së parë, nuk ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese, dhe kjo ka ndikuar në shqiptimin e një dënimi jo të drejtë, në raport me veprën e kryer.

Apeli e ka marr si rrethanë renduese faktin se i akuzuari i ka shfrytëzuar, hapësirat e një restoranti për aktivitetin e tij korruptiv. Pastaj si rrethana tjera renduese janë vlerësuar, pasojat e rënda të veprës penale si dhe pesha e pozitës zyrtare të akuzuarit.

Nisur nga këto Apeli vendosi sikur u tha më lartë, me bindjen se dënimi i shqiptuar, është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë.

Kujtojmë se në seancën fillestare i akuzuari G.R., para gjyqtarit Isuf Makolli dhe prokurorit Arian Gashi kishte pranuar fajësinë për akuzën në fjalë me çka ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 3000 euro gjobë.

Përndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë në Prishtinë, G.R., akuzohet se më datë 29.09.2020 si person zyrtar respektivisht inspektor i ndërtimit në KK Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar për vete ryshfet shumën e të hollave prej 12.000,00 (dymbëdhjetë mijë) Euro nga i dëmtuari Naim Berisha, pronar i firmës ndërtimore “Berisha Group”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari G.R,. i kishte pranuar këtë shumë të hollash në mënyrë që të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare ashtu që pasi që paraprakisht i kishte ndaluar punimet të dëmtuarit në objektin me leje ndërtimi te lagjja e spitalit rruga “Holger Petersen” në Prishtinë më pastaj kishte shkuar një ditë tjetër tek i njëjti dhe në emër të lëshimit të lejes për vazhdimin e punimeve i kishte kërkuar shumën e të hollave të sipër cituar .

Në aktakuzë tutje thuhet se pasi i dëmtuari rastin e kishte paraqitur në polici dhe gjatë zbatimit të masave të fshehta i akuzuari G.R., pasi ishte takuar me të dëmtuarin në kafiterinë Liburnia në lagjen Tophane në Prishtinë në të njëjtën dite rreth ores 17.00 nga i njëjti në zarf me mbishkrimin Berisha Group kishte pranuar këtë shumë të të hollave të cilat zyrtarët policor menjëherë pasi e kishin arrestuar ia kishin gjetur në çantën e tij.