Personaliteti i cili ishte reformatori francez në Gjenevë gjatë Reformimit Protestant

0
160

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 57 me radhë e ka John Calvin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LVII-  John Calvin

(1509-1564)

Shkencëtari dhe teologu protestant, John CalvinJohn Calvin është një nga figurat kryesore të historisë evropiane. Parimet e tij për pikëpamje të ndryshme, si për teologjinë, pushtetin, moralin vetjak dhe shprehitë e punës, ndikojnë pothuajse mbi 400 vjet në jetën e qindra miliona njerëzve. Zhan Kalvini (mbiemri i vërtetë i të cilit ka qenë Koven ose Shoven) është lindur në vitin 1509 në qytetin francez, Noajon. Ai kishte kryer arsim të mirë. Pasi kishte frekuentuar kolegjin në Paris, studioi për drejtësi në Universitetin e Orleanit. Kalvini ishte 8 vjeç, kur Martin Luteri ngjiti në portën e kishës në Vitinberg 95 tezat e tij, me anën e të cilave kishte paraqitur parimet e Reformës Protestante. Kalvini u edukua si katolik, por në rini kishte pranuar protestantizmin. Për t’i shpërtuar internimit ai e la menjëherë Parisin, ku jetonte prej kohësh, dhe, pas një udhëtimi të gjatë, u vendos në Bazel të Zvicrës. Aty jetoi me emër të rremë duke studiuar intensivisht teologjinë. Në vitin 1536, kur ishte 27 vjeç, botoi punimin e tij më të njohur “Institucionet e fesë kristiane”. Në këtë vepër, me të cilën u bë mjaft i njohur, ai përfshiu në mënyrë të përmbledhur e në formë të kuptueshme parimet bazë të protestantizmit. Më vonë, po këtë vit, i ftuar që të bëhej mësues dhe udhëheqës i bashkësisë protestante, ai vajti në Gjenevë. Në atë kohë, aty protestantizmi po mblidhte forcat e veta me shpejtësi. Por shpejt lindën konflikte midis puritanit të zemëruar Kalvin dhe qytetarëve të Gjenevës. Në atë kohë, aty protestantizmi po mblidhte forcat e veta me shpejtësi. Por shpejt lindën konflikte midis puritanit të zemëruar Kalvin dhe qytetarëve të Gjenevës. Në vitin 1538 ai u detyrua të largohej nga ky qytet. Por disa vjet më vonë, në vitin 1541, u ftua përsëri aty, dhe u bë jo vetëm pushtetari i vetëm fetar i qytetit, por edhe një lider politik shumë aktiv. Dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës, në vitin 1564.

 

Teorikisht në Gjenevë Kalvini nuk ishte diktator. Shumë nga qytetarët kishin të drejtën e zgjedhjes, por një pjesë e madhe e pushtetit politik zyrtar realizohej me 25 anëtarë të këshillit. Kalvini nuk ishte anëtar këshilli dhe mund të përjashtohej në çdo kohë, në qoftë se për qëndrimin e tij nuk do të kishte shumicën e votave (gjë që ndodhi në vitin 1538). Megjithatë, në praktikë, ai u bë zot i qytetit dhe pas vitit 1555, u bë absolut. Nën udhëheqjen e tij, Gjeneva u shndërrua në një qendër kryesore protestane në Evropë. Kalvini u përpoq me këmbëngulje të ndikonte në përhapjen e protestanizmit edhe në vendet e tjera, më konkretisht në Francë. Në të njëjtën kohë Gjeneva u quajt “Roma protestante”. Që kur u rikthye në Gjenevë, një nga punët e tij  të para që bëri ishte sjellja e gjithë urdhëresave klerikale për kishën reformatore të atyrshme. Më vonë, ato urdhëresa u bënë model për kishat e reformuara të Evropës. Në Gjenevë, Kalvini shkroi shumë traktate sugjestive fetare dhe vazhdoi të përpunonte ”Institucionet e fesë kristiane”. Krahas kësaj, mbajti një varg leksionesh për teologjinë dhe Biblën.

Gjeneva e Kalvinit ishte një qytet skolastik dhe puritan. Paraja, dashuria dhe korrupsioni ishin kundërvajtje të rënda, ndërsa bixhozi dhe të kënduarit e këngëve të pahijshme ishin rreptësisht të ndaluar dhe dënoheshin me gjoba të rënda. Me ligj kërkohej që në orë të caktuara të frekuentohej kisha, ku bëheshin predikimet e gjata të zakonshme. Kalvini nxiti forcërisht zgjatjen e punës dhe këmbënguli për zhvillimin e arsimit. Pikërisht, në kohën e tij u krijua Universiteti i Gjenevës.

Kalvini nuk ishte aspka tolerant. Me të gjithë që i mendonte si heretikë diskutonte ashpërsisht. Viktima më e njohur e tij (ai e kishte shumë) ishte Mishel Serve, mjek dhe teolog me prejardhje spanjolle,  i cili nuk besonte në shkollën e Shën Triadhës. Kur Serve vajti në Gjenevë, ai u arrestua, u gjykua për herezi dhe u dogj në turrën e druve (1553). Këtë fat në kohën e Kalvinit e kanë patur edhe shumë të tjerë, që dyshoheshin për magjistarë. Kalvini vdiq në Gjenevë në vitin 1564. Ishte i martuar, por në vitin 1549 mbeti i ve. I vetmi fëmijë i kishte vdekur gjatë lindjes. Rëndësia kryesore e Kalvinit nuk është veprimtaria e drejtpërdrejtë e tij politike, por ideologjia që përfaqësoi ai. Ai këmbënguli në autoritetin dhe rëndësinë e Biblës, ashtu si dhe Luteri, hodhi poshtë pushtetin dhe rëndësinë e Kishës Katolike Romake. Ashtu si Luteri, Shën Agustini dhe Shën Pavli, Kalvini thoshte se të gjithë njerëzit janë fajtorë dhe se shpëtimin i tyre nuk vjen nga veprat e mira, por nga feja dhe vetëm nga feja. Mbresa të dukshme kanë lënë leksionet e tij për përcaktimin e dënimit: Sipas Kalvinit, Zoti prej kohësh ka vendosur, pa marrë parasysh meritat, se kush do të falet dhe kush do të dënohet. Atëhere, pse njeriu duhet të synojë që të jetë i moralshëm? Kalvini përgjigjet se “të zgjedhurit” (njerëzit e zgjedhur nga Zoti për të pranuar Krishtin janë edhe të falurit) nga Zoti janë përcaktuar që të jenë të drejtë. E thënë me fjalë të tjera, do të na falen mëkatet jo se do të jemi të mirë, apo jemi të mirë, por për atë se jemi zgjedhur për t’u falur. Ndonjërit, ky mësim mund t’i duket i papranueshëm, por nuk ka dyshim se pikërisht ky mësim ka frymëzuar shumicën e kalvinistëve që të ishin të sjellshëm dhe të drejtë në jetë. Kalvini pati ndikim të madh lidhur me botën. Doktrinat e tij teologjike patën më shumë ithtarë se ato të Luterit. Në qoftë se Gjermania Veriore dhe Skandinavia janë kryesisht vende luteriane, Zvicra dhe Holanda janë vende kalviniste. Në Poloni, Hungari dhe Gjermani ekzistojnë pakica të mëdha të ngjashme kalviniste. Paraviterianët në Skoci janë kalvinistë, siç janë edhe hugenët në Francë dhe puritanët në Angli. Në Amerikë, kuptohet, prej kohësh ekziston një ndikim i fuqishëm i puritanizmit. Gjeneva e Kalvinit vendosi më parë tekratinë se demokracinë, por rezultati i fundit i kalvinizmit ishte gjithashtu, një demokraci më e madhe. Fakti, që në kaq shumë vende kalvinistët janë pakicë, mundet t’i ketë detyruar ata që të parapëlqejnë kufizimin e pushtetit të vendosur : megjithatë, ende nuk është zgjidhur shkaku i organizimit të brendshëm demokratik të kishës kalviniste. Sido që të jetë, të mjerët e parë të Kalvinit (zviceranët, holandezët dhe britanikët) u shndërruan në të mjerë të demokracisë. Thuhet se shkolla e Kalvinit është faktori kryesor për krijimin e “etikës punëtore protestante” dhe për zhvillimin e kapitalizmit. Është e vështirë të thuhet se deri në ç’shkallë kjo thënie ka bazë. Për shembull, holandezët shumë kohë përpara Kalvinit njiheshin si popull punëdashës. Nga ana tjetër, duket e palogjikshme të lejohet shprehja e tij e fortë drejt punës së lodhshme, që nuk ka ndikuar tek ithtarët e tij. (Kalvini lejonte ndryshimet e punës dhe të interesave-praktikë e vendosur nga shumica e moralistëve të hershëm kristianë,por që ndikon shumë në zhvillimin e kapitalizmit). Si mund të renditet Kalvini në libër? Ndikimi i tij gjeti mbështetje kryesore në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore, por shekullin e fundit kjo mbështetje po bie shpejt. Në çdo rast, një pjesë e madhe e meritave për ekzistencën e kalvinizmit u kushtohet figurave më të hershme , si Jezusit, Shën Pavlit dhe Luterit. E krahas asaj, që Reforma Protestante është ngjarje me rëndësi të madhe historike, është e qartë se rolin kryesor për përhapjen e saj e ka luajtur Marin Luteri. Kalvini është vetëm njeri nga shumë udhëheqësit protestantë, që u lartësuan pas Luterit.

Parë në këtë vështrim, Kalvini duhet renditur pas tij. Nga ana tjetër, Kalvini duhet vendosur përpara filozofëve të tillë, si Volteri dhe Rusoi, pasi ndikimi i tij është dy herë më jetëgjatë se i tyre dhe se pikëpamjet e tij kanë ndikuar thellë në jetën e ithtarëve të vet.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Grigor Mendel.