Zbuloi përbërjen e rrezeve radioaktive të uraniumit, në vitin 1908 mori çmimin ”Nobel” në fushën e kimisë

0
115

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 56 me radhë e ka Ernest Rutherford.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LVI – Ernest Rutherford

(1871-1937)

Ernest Radhërford vlerësohet si fizikani-eksperimentues më i madh i shekullit XX. Është figura qendrore, që shpuri deri te dijet për radioaktivitetin dhe që shfaqi parimin për studimin e fizikës bërthamore. Zbulimet e tij, krahas rëndësisë së madhe teorike, gjejnë zbatim të gjerë në një varg fushash, si për armët atomike, për centralet bërthamore, izotopet radioaktive edhe për radiometrinë. Ndikimi i zbulimeve të tij në botë është i thellë dhe me kalimin e kohës vlerat e tij do të rriten edhe më shumë. Radhërfordi është lindur dhe është rritur në Zelandën e Re. Ai studioi në kolegjin e Kentenberit dhe në moshën 23 vjeç kishte arritur të merrte tri grada shkencore si për krijimtari ashtu edhe për shkencë. Vitin e fundit mori bursë për të vazhduar studimet në Universitetin e Kembrixhit ku, tre vjet të tëra, nën drejtimin e shkencëtarit më të njohur të kohës, Xhosef Xhon Tomson, u mor me punë kërkimore-shkencore. Në moshën 27-vjeçare u bë profesor i fizikës në Universitetin e Kanadasë “Mek Gill”, ku qëndroi 9 vjet. Në vitin 1907 u kthye në Angli ku drejtoi fakultetin e fizikës në Universitetin e Mançesterit. Në vitin 1919 vajti në Kembrixh ku ndenji deri në fund të jetës e punoi si drejtor i laboratorit “Kavendish”. Me bashkime të uraniumit,radioaktiviteti u zbulua në vitin 1896 nga fizikani francez, Anri Bakerel.Por, ky e humbi shpejt interesin për këtë temë, ndaj dijet bazë për radioaktivitetin i përkushtohen Radhërfordit dhe kërkimeve të tij të gjera. (Maria dhe Pjer Kyri zbuluan edhe dy elemente radioaktive,  por ata nuk kanë bërë zbulime themelore në atë drejtim).

Një nga zbulimet e para të Radhërfordit ishte përbërja e rrezeve radioaktive të uraniumit nga dy përbërës krejt të ndryshëm të quajtur rreze alfa dhe beta. Më vonë, ai demonstoi natyrën e secilës prej tyre (ato paraqesin denduri thërrmijash, që lëvizin shumë shpejt) dhe provoi praninë edhe të një përbërësi të tretë, që e quajti rreze gama. Gjurmë e rëndësishme e radioaktivitetit është energjia. Bakereli, bashkëshortët Kyri dhe shumë shkencëtarë  të tjerë kanë menduar se energjia vinte nga ndonjë burim i jashtëm. Megjithatë, Radëhrfordi vërtetoi se energjia, që ishte problem pra, shumë më e fuqishme se ajo që çlirohet nga reaksionet kimike, -përcaktohet nga vetitë e atomeve të veçanta të uraniumit. Kështu, ai i pari arriti në konceptin e energjisë atomike. Shkencëtarët thoshnin gjithnjë se atomet e veçanta janë të pashkatërrueshme dhe të pandryshueshme. Radhërfordi, me ndihmën e asistentit të tij të ri të talentuar, Frederik Sodi, arriti të provonte me sukses se kur në atom rrezaton rreze alfa ose beta, ai shndërrohet në një formë tjetër atomi. Në fillim, kimistët nuk donin ta pranonin këtë, megjithatë, Radhërfordi dhe Sodi kryen një varg të plotë shkatërrimesh radioaktive, me anën e të cilave uraniumi u shndërrua në plumb. Radhërfordi mati edhe shkallën e shkatërrimit duke arritur në nocionin e rëndësishëm “gjysmëjetë”. Kjo çoi shpejt në zhvillimin e radiometrisë, e cila u bë një nga metodat shkencore më thelbësore dhe të frytshme me zbatim të gjerë në gjeologji, arkeologji, astronomi dhe në shumë fusha të tjera. Për këto zbulime, në vitin 1908 Radhërfordi mori çmimin ”Nobel” në fushën e kimisë. (Më vonë,këtë çmim do ta merrte edhe Sodi).

Por arritja më e madhe e Radhërfordit do të vinte më vonë. Ai tashmë kishte regjistruar se grimcat e shpejta alfa mund të kalonin përmes një pllake të hollë ari pa lënë gjurmë të dukshme edhe pse shmangeshin pak.

Kjo provoi se atomet e arit nuk ishin të padepërtueshme, hermetikë si “topi i bilardos”,  siç mendonin deri atëherë shkencëtarët, por se ishin të “buta” nga brenda. Nga kjo doli se grimcat e vogla të ngjeshura alfa mund të kalonin përmes atomeve prej ari si “plumbi përmes paçës”. Së bashku me Gajgerin dhe Marsdonin, Radhërfordi zbuloi se pjesë të grimcave alfa shmangeshin fuqishëm gjatë prekjes së pllakës së artë, faktikisht disa edhe shkëputeshin. Ai e ndjeu se në pamje të parë kjo ishte diçka e madhe, ndaj e përsëriti shumë herë eksperimentin duke i numëruar me vëmendje grimcëzat, që shpërndaheshin në drejtime të ndryshme. Përmes një analize matematike shumë të vështirë Radhërfordi argumentoi për ekzistencën e vetëm një mënyre për sqarimin e rezultateve të eksperimentit: atomi i artë përbëhet pothuajse plotësisht nga një hapësire boshe,dhe thuajse e tërë masa e atomit ëhstë përqendruar  në një “bërthamë”, që ndodhet në mes. Në ligjëratën e tij (1911), Radhërfordi vetëm me një të goditur shkatërroi përgjithmonë paraqitjen e zakonshme të botës. Deri sa edhe një copë metali,nga trupi më i fortë, e shumta është një hapësirë boshe, çdo gjë që deri atëhere mendohej si thelbësore papritur u shkatërrua në thërrmijëza të vogla, që zbrazaen në një hapësire boshe të pafund. Zbulimi i bërthamës atomike nga Radhërfordi paraqet bazën e gjithë teorive bashkëkohore për ndërtimin e atomit. Kur dy vjet më vone, Nils Bori botoi teorinë e tij të njohur ku e paraqiti atomin si një sistem diellor në miniaturë, të nështruar nga mekanika kuantike, ai si pikënisje të modelit të tij shfrytëzoi atomin e Radhërfordit me bërthamën. Të njëjtën gjë bënë edhe Hajzenbergu dhe Sherdingeri për krijimin e modeleve të tyre më të ndërlikuara dhe më të përkryera të atomit. Zbulimi i Radhërfordit hapi horizonte të reja  për shkencën, studimin e bërthamës. Ai është edhe pionier i kësaj fushe. Në vitin 1919 Radhërfordi arrti me sukses të shndërronte bërthamën e azotit në bërthamë të oksigjenit duke e bombarduar me grimca shumë të lëvizshme alfa. Kjo arritje i tejkaloi edhe ëndrrat më të guximshme të alkimistëve të lashtë. Shpejt u bë e qartë se shndërrimi i bërthamave është në të vërtetë burimi i energjisë diellore, ndërsa provokimi i shndërrimit të tyre është bazë e ndërtimit të armëve atomike dhe centraleve bërthamore. Në këtë kuptim, zbulimi i Radhërfordit e tejkaloi shumë interesin thjesht shkencor.

Figura e jashtëzakonshme e Radhërfordit ka lënë vazhdimisht mbresa tek të gjithë ata,që kanë kontaktuar me të. Ai ka qenë trupmadh, me zë të fortë dhe energji të pashtershme. Kur një kolegu i tij i tha diçka për aftësinë e tij të jashtëzakonshme, se do të qëndronte gjithnjë në majë të valëve të shkencës, Radhërfordi menjëherë iu përgjigj:”E pse të mos qëndroj, a nuk jam unë që i krijova valët?!”

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është John Calvin.