William Harvey, mjeku i madh anglez, që zbuloi qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e zemrës

0
828
Engraving of English physician and anatomist William Harvey (1578-1657) who discovered the circulation of blood. (Photo by Time Life Pictures/Mansell/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 55 me radhë e ka William Harvey.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. LV – William Harvey

(1578-1657)

William Harvey, mjeku i madh anglez, që zbuloi qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e zemrës, është lindur në vitin 1578 në Fokstoun të Anglisë. Libri i tij shumë i suksesshëm “Për lëvizjen e zemrës dhe të gjakut” (1628) me të drejtë është quajtur si realizimi më i rëndësishëm në tërë historinë e fiziologjisë. Rëndësia kryesore e tij nuk qëndron në përdorimin e drejtpërdrejtë, por në tablonë themelore, që jepet për veprimtarinë e trupit njerëzor.

Për ne, njerëzit e sotshëm, teoria e Harvit na duket tepër e natyrshme, se qarkullimi i gjakut është një dije që kuptohet lehtë. Por, ajo që ne sot na duket fare e thjeshtë dhe e qartë, nuk ishte aq e qartë për shkencëtarët e dikurshëm. Më përpara, biologë të njohur mbronin pikëpamje të tilla: a) ushqimi shndërrohet në gjak në zemër; b) zemra e rreh gjakun (ashtu siç rrihet gjalpi); c)arteriet janë plot me ajër; ç)zemra prodhon “gjallesa shpirtërore” dhe d) si në venat ashtu dhe në arteriet gjaku lëviz me batica dhe zbatica , herë shkon në zemër, herë jo. Galeni, mjeku më i madh i botës antike, njeriu që ka bërë shumë diseksione (hapje kufomash) dhe që ka studiuar zemrën dhe enët e gjakut, nuk e vuri re qarkullimin e gjakut. Edhe Aristoteli, me gjithë interesimin e tij të madh për bilogjinë, nuk e vuri re këtë gjë. Aq më tepër, pasi u botua libri i Harvit, shumë mjekë nuk e kuptuan idenë e qarkullimit të gjakut në sistem të mbyllur nëpërmjet enëve të tij dhe lëvizjen e gjakut që kryhej nga zemra. Harvi erdhi në idenë e qarkullimit të gjakut nga një përllogaritje e zakonshme aritmetike që bëri: Ai mendoi se sasia e gjakut që nxjerr zemra nga çdo goditje përmban dy unc (masë), por duke parë 72 rrahjet e saj në minutë, duhej të fitohej një rezultat prej 540 funtesh (250 kg). Gjak që zemra hidhte në aortë. Kjo peshë e kalon shumë peshën mesatare të njeriut dhe aq më shumë sasinë e gjakut në trupin e tij. Harvi e kishte të qartë se në trupin e njeriut, nëpërmjet zemrës, qarkullon vazhdimisht i njëjti gjak. Duke arritur në këtë përfundim, ai për nëntë vjet më radhë eksperimentoi dhe vëzhgoi me vëmendje përcaktimin e detajeve gjatë qarkullimit të gjakut. Në libër sqarohet qartë se gjaku del nga zemra në arterie, ndërsa nga venat kthehet përsëri në zemër.

Por, duke mos patur mikroskop, Harvi nuk ishte në gjendje të dallonte kapilarët (enë të vogla gjaku, që e çojnë atë nga arteriet më të vogla në venat). Megjithatë, ai erdhi në përfundimin  e drejtë të ekzistencës së tyre. Kapilarët u zbuluan disa vite më vonë pas vdekjes së tij, nga biologu italian Malpigi. Harvi shkroi se funksioni i zemrës ishte lidhur me çuarjen e gjakut në arterie. Sipas kësaj pikëpamjeje dhe pikëpamjeve të tjera kryesore, teoria e tij është e drejtë. Veç kësaj, ai kreu eksperimente të shumta dhe me të dhënat që nxori mbështeti teorinë e tij. Edhe në qoftë se, në fillim kjo teori nuk u mbështet fort, nga fundi i jetës së tij, ajo ishte pranuar na të gjithë. Harvi punoi edhe në fushën e embriologjisë. Në qoftë se rezultatet e tij në këtë fushë nuk mund të renditen njësoj me zbulimin e qarkullimit të gjakut, përsëri ai edhe në këtë fushë meriton vëmendje të veçantë. Ai ishte vëzhgues i vëmendshëm dhe në librin “Për shumëzimin e gjallesave “ (1651) shfaqi bazat e kërkimeve bashkëkohore në embriologji.

Njësoj si Aristoteli, dijet e të cilit kishin ndikuar te ky, Harvi hodhi poshtë teorinë për preformizmin – hipotezën që pohonte se embrioni që në fazat më të vjetra ka të njëjtin ndërtim si edhe në gjallesat e rritura vetëm se në përmasa shumë më të vogla. Harvi mbrojti drejt pikëpamjen se deri në produktin e fundit, embrioni zhvillohet shkallë-shkallëm,vazhdimisht. Harvi pati jetë të gjatë (79 vjeç), interesante dhe me fat.

Studimet i kreu në Universitetin e Kembrixhit. Në vitin 1600 vajti në Itali, ku studioi në Universitetin e Padovës për mjekësi. Ndoshta ky universitet ka qenë shkolla mjekësore më e mirë në botë në atë kohë. Në të njëjtën kohë aty ka dhënë mësim edhe Galilei, por nuk dihet nëse janë takuar të dy.

Në vitin 1602, në Padova, Harvi mbrojti doktoratën. Pas kësaj, u kthye në Angli, ku punoi me sukses e për një kohë të gjatë si mjek. Midis pacientëve të tij ishin dy mbretërit e Anglisë, Xhejms I dhe Çarls II si filozofi i njohur Frensis Bekon. Në kolegjin e mjekësisë në Londër,Harvi ka dhënë mësim lëndën e anatomisë. Aty u zgjodh edhe kryetar i kolegjit,detyrë që ai nuk e pranoi. Krahas praktikës private,  shumicën e viteve e kaloi si mjek kryesor i spitalit të Londrës “Shën Bartolomeu”. Në vitin 1628 , kur iu botua libri “Mbi qarkullimin e gjakut” ai u bë i njohur në gjithë Evropën. Ishte i martuar, por nuk pati fëmijë. Vdiq në vitin 1857 në Londër.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Ernest Rutherford.