“Dita e Verës”, historia e festës që vjen nga lashtësia

0
118

Sot festohet Dita e Verës. Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit.

E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

Por zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit.

Vitet e mëparshme shumë njerëz vizitonin Elbasanin në ditën e verës, por këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19 nuk ka patur vizitorë të shumtë në këtë qytet.

Gatimet karakteristike të Elbasanit janë ballakumet, revania, gjeli i detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët, tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan e në Peqin festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballakume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanasit urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Ballakumja, ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës

Në fakt askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballakumes, ëmbëlsirës simbol të Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës./ATSH