“Gjyshja ime nuk ka pasë festë, askush nuk ja ka kujtuar ditëlindjen, madje nuk e kanë ditë saktë kur ka lindë”

0
355

Nga Rina Vuçetaj

Gjyshja ime nuk ka pasë zë.
Se heshtja ka qënë krejtë çka është kerkuar prej saj. Ose thënë më mirë: krejtë çka është kerkuar prej saj, kur dikush tjetër ka folë në emer të saj. Ose e ka shkelë. Kur i kanë thënë fjalë që ja ka vjedhë atë pikë qetësie që e ka gjetë mes dhimbjeve të perditshme. Kur lodhja ja ka kputë trupin. Kur netët pa gjumë janë percjellë me të qara bebash ‐ një, çdo vit, për 8 vite me radhë.
Gjyshja ime nuk ka pasë festë.
Askush nuk ja ka kujtuar ditëlindjen, madje nuk e kanë ditë saktë kur ka lindë. Se lindja e saj ka qenë dhimbje – familja e ka vuajtë faktin që, do e rris një “rob të huaj”.
Ndaj rritjen nuk e kanë çu deri në fund. Gjyshja ime u bë nuse 16 vjeç, e percollen me duvak e ja mbulun trishtimin me shami. E derguan diku ku, ardhja e saj kishte veç një qellim: sherbim, pa falenderim dhe pa pagesë.
Gjyshja ime u bë nanë 3 herë, ende pa i mbushë 20 vjet. Luftoj nga një ditë në tjetrën të mbajë shpresën gjallë atje ku edhe dielli refuzonte të dilte gjysmēn e vitit. Pastaj u bë nanë edhe 5 herë tjera. Duart ju plakën pa u rritur mirë, prej ujit akull me të cilin lante rrobat, kembet ju renduan prej vrapit të periditshëm në një perditshmeri ku, kerkohej vazhdimisht prej saj e nuk i jepte kush asgjë.
Gjyshen time nuk e ka pyetur kush “a je lodhë?” – thua se lodhja është pjesë jete për të cilen nuk guxon as të flas. Vite pas viti, ajo i perbiu dhimbjet e humbjes së njerëzve më të rëndësishëm, qajti heshtur e rrudhat ju shtuan…
Kur nana ime vdiq, 9 vite me parë, ajo i pervoli mëngët si përherë dhe e mbajti shtepinë të ngrohtë. Ishte kudo për secilin nga ne. I ruajti themelet, na ruajti neve nga mendimet e errëta, nuk u ul kurrë për të vajtuar dhimbjen e saj dhe nuk e bën as sot. Ishte kudo…
Sot, gati 80 vjeç, gjyshja ime i gezohet një lule sikur të kishte para syve diamantet më të rrallë. Se nuk është mesu me marrë, veç me dhanë. Ndaj e meriton botën…
8 Marsi është, para se gjithash, për të.
Gjyshet si kjo, nuk janë heroinat për të cilat lexojmë. Historia nuk ka perfundim magjik as çmim. Është histori përpjekjesh në fakt, çdo ditë – historia e grave që e harrojnë vetën për të na bërë jetën më të mirë.
Atyre që, më së rralli ju themi (e më së shumti e meritojnë) FALEMINDERIT.