Shehrije Balaj, gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”

0
1260

Shehrije Balaj, gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës. Ndonëse vdiq në vitin 2018, ajo mbetet heroinë e ditëve të sotme. Për guximin e saj, znj. Shehrije Bala dekorohet me urdhrin presidencial “Shotë Galica”.

Pas kësaj u braktis nga autoritetet kosovare dhe ato serbe dhe u la të vuante ka treguar për BIRN djali i saj.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë dëshmitarja e parë femër nga Kosova që dëshmoi se si u përdhunua, duke dhënë prova në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç dhe 10 të tjerëve në Beograd për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan , Zahaq dhe Lubeniq afër qytetit të Pejës, ku të paktën 100 civilë u vranë në prill dhe maj 1999.

Autorët e krimit ishin anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave të njohur si “Çakallët”, të komanduar nga Nebosoja Miniç, i njohur ndryshe edhe si “Mrtvi”. “Çakallët” nuk u krijuan gjatë luftës në Kosovë. Ata kishin kryer tashmë masakra në Bosnje dhe Kroaci.

Shehrija identifikoi tre prej tyre në gjykatë – Srecko Popoviç, Boban Bogiceviç dhe Dejan Bulatoviç. Një grup luftëtarësh të njësisë “Çakallët” u dënuan në Beograd në 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit më pas e rrëzoi vendimin dhe çështja tani po rigjykohet.

Ndërkohë, Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator 2018, pasi vuajti për shumë vite nga sëmundje të ndryshme.