A MUND TË PËRDOREN SË BASHKU PESHKU DHE PRODUKTETE E QUMËSHTIT ?

0
443

Nga Dr.Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dijetolog-Nutricionist
Hematolog Onkolog
Gastroenterolog

A MUND TË PËRDOREN SË BASHKU PESHKU DHE PRODUKTETE E QUMËSHTIT ?

Sa janë të rrezikshme ?

A ka bazë shkencore që ndalon konsumimin e përbashkët ?

Ne të gjithë kemi njohuri rreth peshkut dhe produkteve të qumështit si ushqime shumë të shëndetshme për familjet tona .
Nga tradita jonë, qumështi me produktet e tij është shumë më prezent sesa peshku.

Nëse flasim për vlerat ushqyese të këtyre dy ushqimeve vlen të theksojmë :

– Peshku – ka përmbajtje të lartë apo është i pasur me me omega 3, calcium, acide yndyrore, të domosdoshme për funksionimin e trurit dhe zhvillimit të tij. Peshku përmban vitamina B, B2, B6, B12, vitaminën D.Mëlçia e peshkut është e pasur me vitaminën A antioksiduese, e cila është tepër e dobishme për sytë dhe lëkurën.
– Qumështi dhe produktet e qumështit – në përdorim të përditshëm sigurojnë sasinë e duhur të ushqyesve si kalciumi, vitamina A dhe D, proteina, magnezi ,fosfori, kaliumi, vitamina B12, riboflavina, niacina dhe zinku. Këto vlera ushqyese kan rol shumë të rëndësishëm në shëndetin e eshtrave, lëkurës dhe forcon sistemin imunitar. Qumështi ndihmon në parandalimin e sëmundjeve si hipertensioni, prishja e dhëmbëve, osteoporoza, dehidrimi, problemet e frymëmarrjes, obeziteti etj.
Çfarë do të ndodhë nëse i hamë së bashku qumështin dhe peshkun ?
Është e qartë që nuk ka konsensus të dukshëm në rrethet shkencore të fushës së dijetologjisë dhe nutricionizmit lidhur me konsumin e produkteve të qumështit dhe peshkut së bashku. Edhe pse si një masë parandaluese, sugjerohet që kombinimi duhet të shmanget por jo me çdo kusht.
Nëse e shikojmë historikisht dhe nga aspekti i traditës së lashtë besimi se këto dy produkte shkaktojnë dëme, rrjedhë shumë kohë më parë.
Në besimet apo traditën hebrenjve në Jerusalem, besohej se peshku dhe qumështi janë një kombinim katastrofik dhe janë shumë të rrezikshme për shëndetin.
Shkenca moderne e Dijetologjise dhe Nutricionizmit nuk e ka konfirmuar një besim të tillë .
Duke folur shkencërisht, nuk ka prova të sakta për të provuar se qumështi i pijshëm ose prodhimet e qumështit, menjëherë pas ngrënies së peshkut mund të jenë të dëmshme ose mund të rezultojnë në depigmentim të lëkurës.
Edhe tek vegjetarianët striktë, ka problem me depigmentim të lëkurës pra nuk është që pikërisht ky kombinim është shkak kryesor për depigmentim të lëkurës.
Kombinimi i peshkut dhe gjizës është traditë e shumë kuzhinave mesdhetare tek popujt e ndryshëm dhe nuk është dëshmuar se ka sjelle ndonjë rritje të dukshmë të pretendimve që synohen nga ata që kundërshtojnë këtë kombinim.
A mund të shkaktojë alergji ?
Po ky kombinim mund të shkaktoj alergji tek personat që kan alergji në këto ushqime. Kombinimi i përbashkët tek një person që ka alergji në proteinë të qumështit ose në konsumim të peshkut, do ishte një reaksion shumë i fuqishëm alergjik.Te këta persona është mirë ti iket kombinimit të këtyre dy ushqimeve së bashku .
Te këta persona duhet ikur edhe nga përdorimi i vetëm i këtyre dy ushqimeve nëse posedohet alergji në to.

PËRMBLEDHJE :

• Do ishte mirë të evitohet përdorimi i qumështit dhe produkteve të qumështit me ushqimet që janë të pasura me proteina. Pra, duhet larguar kombinimin e tillë në përgjithësi. Në këto raste preferohet përdorimi i salkatave që të ndihmojë tretjen më të lehtë dhe absorbimin e proteinave.
• Nuk ka dëshmi të qëndrueshme shkencore që mbështesin pretendimin që kombinimi i qumështit dhe produkteve të tij me peshkun, shkakton depigmentim të lëkurës VITILIGO, prandaj nuk mund të “ndalojmë” që kush dëshiron t’i hajë së bashku këto dy ushqime të mund të bëjë këtë.
• Personalisht në planet dijetologjike që formoj, nuk i kombinoj së bashku këto dy ushqime por gjithashtu nuk ua ndaloj atyre që dëshirojnë ti kombinojnë. Nuk i kombinoj për arsyen e thjeshtë të ngarkesës së traktit digjestiv me dy ushqime jo të lehta për tu absorbuar në të njejtën kohë .
• Kombinim shumë më i mirë do ishte peshku me sallata të ndryshme sesa peshku me prodhime të qumështit.
• Duhet evituar patjetër edhe kombinimet e gabuara që bëjmë në tryezat tona si : djathë me vezë dhe qumësht për mengjes , mish me prodhime të qumështit, ose vezë dhe mish etj etj. Marrja e dy ushqimeve me vlera të caktuara energjike dhe proteina, do ndikojë që organizmi të absorbojë shumë ngadalë këto vlera duke bërë edhe prodhim të ekzagjeruar të fermenteve të nevojshme. Pra, e tërë kjo gjendje do e rëndoj pa nevojë organizmin dhe do ndikojë që të largohen nga organizmi pa u absorbuar në tërësi proteinat apo përmbajtja tjetër.