Ermonela Jaho nuk u bë rastësisht një nga sopranot më të vlerësuara në botë

0
72

Ermonela Jaho nuk u bë rastësisht një nga sopranot më të vlerësuara në botë. Që në moshë të hershme, kur ishte 6 vjeç, ajo filloi studimet për kanto. Pas përfundimit të studimeve te Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, sopranoja fitoi një konkurs dhe u transferua në Itali, një moment që do të shënonte një rrugëtim të ri, këtë herë në skenën ndërkombëtare.

Talenti dhe disiplina e dalluan mes të tjerave dhe jo më kot, interpretimet e saj konsiderohen si nga më të fuqishmet e muzikës lirike, vendosur në operat më prestigjioze në botë.

Në vitin 2016, Ermonela Jaho fitoi çmimin më të madh ndërkombëtar të muzikës lirike, International Opera Awards, duke u shpallur e përzgjedhura e votuesve mes shumë figurave të shquara të artit rus dhe latin.

E kërkuar në të gjithë botën, Ermonela Jaho njihet veçanërisht për portretizimet e saj të Violetta (La traviata), Madama Butterfly dhe Suor Angelica (Il trittico), Mimi (La Boheme) etj. Nëpër artikuj, The Economist e ka cilësuar si “sopranoja më e vlerësuar në botë”, The Financial Times ka thënë se “Ermonela Jaho derdh zemrën dhe shpirtin në këndim…Mos u përpiq t’i rezistosh”.