“Ajo u doktorua, në kohën kur ambicia e vetme e gruas ishte më së shumti të sillte në jetë trashëgimtarë në familjen e burrit”

0
212

Nga Muzeu Kokalari

Kjo është një foto e jashtëzakonshme e Musine Kokalarit që të emocionon sa herë e sheh. Madje jo vetëm kur e sheh, por të mbetet në mendje. Megjithëse është veç një foto, flet shumë, flet sa një jetë e tërë me dinjitet, e kësaj vajze guximtare dhe trimëreshë. Guximtare, sepse provoi të bënte dhe bëri gjëra që askush s’i kishte bërë para saj. Ajo u shkollua në kohën kur 80% e popullsisë ishte analfabete. Ajo u doktorua, në kohën kur ambicia e vetme e gruas ishte më së shumti të sillte në jetë trashëgimtarë në familjen e burrit. Ajo shkroi libra, duke u shënuar e para grua shqiptare që e bëri këtë. Ajo ishte nga të paktat dhe të rrallat gra të kohës që siguronte të ardhura me punën e saj për vete dhe familjen. Ajo krijoi një parti politike, në kohën kur politika u përkiste kryesisht burrave.
Musineja ishte trimëreshë. Ajo mbroi idetë e saj deri në fund pa kompromis, atëherë kur shumë të tjerë u thyen. Nuk u tremb nga torturat, nuk u tremb nga puna e rëndë, nuk u tremb nga survejimi, izolimi, varfëria ekonomike. Ajo jo vetëm nuk u përkul, por i përballoi vuajtjet me dinjitet të admirueshëm duke fituar admirimin e heshtur të njerëzve.
Shumë informatorë të infiltruar survejonin Musinenë ditë e natë, në çdo lëvizje që bënte. Shteti komunist shihte tek ajo një rrezik të madh. “Shkëndija”, “Referati”, “Zambuta”, “Brisku”, “Kalaja”, “Cajupi Kreshnik”, “Bamja e pjekur”, “Lisi”, “Piktori”, “Munella”, “Besa”, “Aparati”, Pëllumbi” janë vetëm disa nga pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit që merrnin detyra për të mbajtur në vëzhgim dhe për të biseduar me Musinenë. Falë informacioneve të tyre ne kemi dëshmi që lartësojnë edhe më intelektualen e pakrahasueshme Musine Kokalari.
Në 1 janar 1975, bashkëpunëtorja “Besniku” informon se Musineja ka thënë:
“Unë kam qenë dhe jam kundër vijës së Partisë. Unë jam me ide tjetër dhe do të vdes me këtë. Kështuqë, kur e nisa këtë rrugë, e nisa në mënyrë të ndërgjegjshme dhe me një luftë për jetë a vdekje. Unë humba dhe nuk arrita atë që ëndërroja, por prapë jam kryelartë”.
Sa do të doja t’i thoshja Musinesë se ajo nuk ka humbur, por në fakt ka fituar. Fitorja morale është superiore kundrejt fitores me dhunë, që herët a vonë do të bjerë, ndërsa ylli Musine rrezaton çdo ditë e më fort.
Lavdi emrit dhe veprës tënde Musine!