Prishtina fituese e Kupës së Qyteteve në futsall

0
38

Ekipi i Prishtinës e ka fituar edhe sivjet trofeun e turneut tradicional përkujtimor “Kupa e Qyteteve” në futsall, që organizohet çdo vit nga Federata e Futbollit e Kosovës – Komisioni i Futsallit, në përkujtim të tre heronjve të kombit – Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Prishtinasit e kanë mundur ekipin e Podujevës, me rezultat 2:0, në një ndeshje mjaft interesante, e cila për shkak të rrethanave të pandemisë u ndoq nga një numër i kufizuar i mysafirëve, kryesisht familjarë të heronjve dhe zyrtarë institucionalë. Të dy golat për ekipin e kryeqytetit i shënoi Durim Qorri (6’ dhe 40’).

Para kësaj ndeshje u zhvillua edhe përballja ndërmjet veteranëve të Llapit dhe veteranëve të qyteteve tjera, e cila u mbyll me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 6:2.

Në fund, anëtarët e Komisionit të futsallit ndan mirënjohje për familjarët e heronjve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, si dhe medaljet dhe trofeun për ekipet pjesëmarrëse të këtij aktiviteti.