Selim (Mustafë) Veliu, këpucar – tregtar në Preshevë

0
53

Nga Ferid Selimi

Selim (Mustafë) Veliu lindi në Preshevë në vitin 1918. Ishte i biri i katërt me radhë i Mustafës së qorrvelive të Preshevës (Mustafa kishte edhe katër fëmijë tjerë: katër djem e një vajzë). Si shumë moshatarë të tij në atë kohë, edhe Selimi i Mustafës së qorrvelive, shkollën fillore e kreu në gjuhën serbo-kroate. Zanatin e këpucarit e mësoi nga vëllai i tij, Jahja, që ishte dy vjet më i madh se Selimi. E Jahja Veliu e kishte mësuar zanatin te Rexhep Qerimi – Reçki. Këpucar ka punuar bashkë me të vëllain, Jahjanë nga viti 1940 deri në vitin 1970, në dyqanin përballë xhamisë së Ibrahim Pashës në çarshi të Preshevës. Prodhimet e tyre i shisnin nëpër tregjet e Kosovës, të Serbisë, të Bosnjës dhe në Preshevë. Në ndërkohë sa punonte këpucar, Selim (Mustafë) Veliu ushtroi edhe funksionin e sekretarit të Bashkësisë Islame, me Qendër Prishtinën. Në cilësinë e sekretarit kontribuoi në ndërtimin e disa xhamive në rrethinën e Preshevës. Po ashtu ishte përgjegjës për përgatitjen e kushteve për personat që udhëtonin për të kryer Haxhin, duke përfshirë këtu edhe njerëz nga Maqedonia. Këtë punë e bëri vullnetarisht në një periudhë më të gjatë se njëzet vjeçare. Që nënkupton pa kompensim material. Pasi ndërpreu veprimtarinë e këpucarit, aga Selim i qorrvelive të Preshevës në vitin 1971 hap një pemëtari (Pilare) të cilën e mban deri në vitin 1977, e më pas hap dyqanin e shitjes së tekstilit që ishte pronë e Ndërmarrjes Tregtare “Bibrok” nga Kumanova. Këtë dyqan e mban deri në vitin 1983.
Vdes në nëntor të vitit 1984, e pas vetes, Selim (Mustafë) Veliu la pesë fëmijë. Dy vajza: Elmazen (tashmë e ndjerë) e Syzanen dhe tre djem: Irfanin (tashmë i ndjerë), Mitatin e Nagipin, të cilët sot me familjet e tyre jetojnë në Preshevë, Kosovë e Amerikë!
Në foto Aga Selim i qorrvelive