Lirohen nga akuza anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit

0
72

Lirohen nga akuza anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Agim Çekun, bashkë me Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahën, Shkumbin Demaliajn, Çelë Gashin, Shukri Bujën, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn, Xhavit Jasharin dhe Ahmet Dakun, i shpalli të pafajshëm.

Në arsyetimin e gjykatës u theksua se aktakuza ndahen në tri pjesë; pjesa e parë e dispozitivit e cila cek periudhën kohore 2011-2017, ku ceken veprimet të cilat kanë ndodhur nga të pandehurit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës e cila thotë se të pandehurit kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar me dashje përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë tejkaluar ato.

Gjykata lidhur me këtë konsideron se PSRK-ja vetëm ka parafrazuar këtë vepër penale dhe nuk i ka specifikuar saktë se në çfarë mënyrë dhe si nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre.

Po ashtu, PSRK-ja nuk ka përcaktuar se cilat ligje dhe rregullore nuk janë respektuar nga anëtarët e komisionit e aq më pak dispozitat specifike të tyre. Megjithatë, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësore ka konstatuar se ky komision është formuar me vendim të Qeverisë ndërkaq ka vepruar në kuadër të rregullores për komisionin dhe ligjeve.

Andaj, përfundimi i gjykatës është se komisioni ka vepruar në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi.

Përveç kësaj gjykata theksoi se periudha kohore e dispozitivit të aktakuzës është e gabuar pasi që dispozitivi cek periudhën nga viti 2011 ndërkaq disa nga anëtaret e komisionit nuk ishin anëtarë gjatë kësaj periudhe.

Tutje, gjykata ka gjetur se pjesa e dytë e dispozitivit ka mospërputhje dhe paqartësi ku prokuroria nuk ka mundur të vërtetoj se të pandehurit a kanë vepruar si përfaqësues të zonave apo si anëtarë të komisionit. Dhe nëse kanë vepruar si përfaqësues të zonave a kanë pasur pozitë zyrtare.

Ndërkaq sa i përket 19.500 aplikacioneve të personave të cilët konsiderohen të jenë përfitues të kundërligjshëm, gjyqtarja në arsyetimin e dhënë theksoi se kjo gjykatë nuk e ka pasur objekt të shqyrtimit këtë gjë, kjo për faktin se PSRK-ja ka ndarë hetimet duke e lënë këtë në kompetencë të prokurorive regjionale.

Gjykata vetëm ka ardhë në përfundim se nuk është i saktë numri i personave të cekur si në aktakuzë dhe se në mesin e tyre ka pasur persona të cilët pa të drejtë kanë qenë pjese e listave ku gjatë gjykimit janë përmendur disa persona me emër dhe mbiemër.

Gjykata përfundoi se ka munguar dashja e të pandehurve dhe se prokuroria nuk ka mundur të bindë gjykatën në asnjë formë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës në fjalë.

Ndryshe, ky rast është gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj me anëtarët Kujtim Krasniqi dhe Agim Kuçi.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale, i kishte propozuar kësaj gjykate që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Mirëpo, me vendimin i cili mbartë datën 26.03.2019, kjo gjykatë e ka refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se kërkesë i’u është drejtuar palës së tretë (në këtë rast Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale). Lidhur me refuzimin e masës së kërkesës juridike pasurore buxheti i shtetit po dëmtohet në baza mujore në vlerë prej 3,315.00 euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila përfaqësohet nga prokurorët Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Me veprimet e kundërligjshme pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 88.769.217.04 euro.