Personaliteti i cili propozoi një formulim të ri të fizikës, me bazë rrënjësisht të ndryshme nga përcaktimi klasik i Njutonit

0
127

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 46 me rradhë ka Verner Hajzenberg.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXVI- Verner Hajzenberg

(1901-1976)

Për meritën, që pati në krijimin e mekanikës kuantike, një nga arritjet më të rëndësishme në gjithë historinë e shkencave, Çmimi Nobel për fizikë, në vitin 1932, iu dha fizikanit gjerman Verner Karl Hajzenbergut.

Mekanika është ajo pjesë e fizikës, që merret me ligjet e përgjithshme, të cilave u nënshtrohen lëvizjet e objekteve materiale. Është pjesa më fondamentale e shkencës më fondamentale. Në vitet e para të shekullit XX, gjithnjë e më tepër bëhej e qartë se ligjet e pranuara në mekanikë nuk ishin në gjendje të përcaktonin marrëdhëniet e objekteve jashtëzakonisht të vogla, për shembull të atomeve me grimcat e tyre. Kjo ishte sa zhgënjyese, aq edhe e çuditshme, madje ato ligje vepronin pa gabime kur zbatoheshin në objekte makroskopike (dmth. në objekte më të mëdha se atomet e veçanta).

Në vitin 1925 Verner Hajzenberg propozoi një formulim të ri të fizikës, me bazë rrënjësisht të ndryshme nga përcaktimi klasik i Njutonit. Me ndryshimet e bëra nga pasardhësit e Hajzenbergut, teoria e re gjatë zbatimit pati sukses të jashtëzakonishëm. Ajo zbatohet edhe sot, madje është e mundshme të zbatohet në të gjitha sistemet fizike, pavarësisht nga pamja dhe madhësia e tyre.

Matematikisht mund të vërtetohet se kur punohet me sisteme makroskopike, ndryshimet në parashikimin e teorisë kuantike dhe teorive klasike, e cila si matematike, është shumë më e thjeshtë se kuantika, zbatohet ende në shumë llogaritje shkencore. Megjithatë, kur punohet për sisteme me matje atomike, parashikimet e mekanikës kuantike ndryshojnë në mënyrë të dukshme nga parashikimet e mekanikës klasike. Është vërtetuar eksperimentalisht se në raste të tilla, parashikimet e mekanikës  kuantike janë të sakta. Një nga arritjet e teorisë së re është Parimi i njohur i papërcaktueshmërisë, i formuluar në vitin 1927 nga Hajzenbergu dhe i pranuar nga të gjithë si një nga parimet më të qëndrueshme të të gjithë shkencës. Papërcaktueshmëria përcakton zonat e njohura teorike ku mund të kryhen matje shkencore. Rezultatet e këtij parimi kanë rëndësi shumë të madhe. Në qoftë se ligjet bazë të fizikës nuk i lejojnë shkencëtarit, as edhe në kushte ideale, që të arrijë në përfundime të sakta për sistemin që ka marrë në studim, është e qartë se ai nuk mund të parashikojë në mënyrë të plotë marrëdhëniet e njëjta të atij sistemi. Në pajtim me parimin e papërcaktueshmërisë, kjo vështirësi nuk mund të kapërcehet me asnjë lloj përmirësimi të aparatit matës.

Papërcaktueshmëria, pa dyshim tregon që sipas vetë natyrës së gjërave, fizika nuk është në gjendje të arrijë më tepër se parashikimet statike. Për shembull, shkencëtari që studion radioaktivitetin mund të parashikojë se nga një trilion atome të radiumit, dy milionë në të njëjtën ditë do të lëshojnë rreze gama. Megjithatë, shkencëtari nuk është në gjendje të parashikojë nëse një atom i caktuar i radiumit mund të bëjë të njëjtën gjë. Në shumë raste, në praktikë, kjo nuk është pengesë e madhe. Kur punohet me numra shumë të mëdhenj metodat statistikore shpesh japin rezultate të sigurta : megjithatë, për vlera të vogla nuk mund të mbështetemi në parashikime statistikore. Kur punohet me sisteme të vogla, papërcaktueshmëria na detyron të shkëputemi nga paraqitja e ngjarjeve të pastra fizike. Ky është ndryshimi më i thellë i bazës filozofike në shkencë, aq i thellë, sa që edhe një shkencëtar i madh, siç ishte Ajnshtajni, u tërhoq nga kuptimi i saj: ”Nuk mund ta kuptoj që Zoti hedh kocka në Kozmos”- ka deklaruar një herë ai. Megjithatë, është e dukshme që një lidhje të tillë, u detyruan ta pranonin shumica e fizikanëve bashkëkohorë.

Është e qartë, se nga aspekti teorik, teoria kuantike e ka shndërruar kuptimin themelor të botës materiale ndoshta në një masë më të madhe se teoria e relativitetit. Megjithatë, pasojat e saj nuk janë vetëm filozofike.

Midis arritjeve të saj, në praktikë numërohen pajisjet moderne, si: mikroskopët elektronikë, ata me lazer dhe transistorët. Ajo gjen zbatim të gjerë në fizikën atomike dhe në energjinë atomike, jep bazat e dijes për spektroskopin dhe përdoret shumë në astronomi dhe kimi. Zbatohet për tema nga më të ndryshmet edhe në studimet teorike, si për veçoritë e heliumit të lëngshëm, për përbërjen e yjeve, për feromagnetizmin dhe radioaktivitetin,etj.

Verner Hajzenberg është lindur në vitin 1901 në Gjermani. Në vitin 1923, në Universitetin e Mynihut, mori gradën “Doktor i shkencave” për fizikën teorike. Nga viti 1924 deri në vitin 1927, së bashku me fizikanin e njohur danez Nils Bor, punoi në Kopenhagën. Studimi i tij i parë, më i rëndësishëm për mekanikën kuantike, u botua në vitin 1925, ndërsa parimin e papërcaktueshmërisë e formuloi në vitin 1927. Hajzenbergu vdiq në vitin 1976, kur ishte 75 vjeç. E kanë përjetuar e shoqja dhe shtatë fëmijët.

Duke parë rëndësinë shumë të madhe të mekanikës kuantike, lexuesi me të drejtë mund të pyesë, pse Hajzenbergu nuk është klasifikuar më lart në libër? Përgjigja është : për shkak se ai nuk ka qenë i vetmi shkencëtar që është marrë me përpunimin e mekanikës  kuantike. Për këtë, merita të mëdha kanë edhe pararendësit e tij, si Maks Plank, Albert Ajnshtajni, Nils Bori dhe shkencëtari francez Luj Broli. Veç kësaj, shumë shkencëtarë të tjerë, midis të cilëve, austriaku Ervin Shredinger dhe anglezi Pol Dirak, kanë dhënë ndihmesë të rëndësishme në teorinë kuantike menjëherë pas botimit të studimit themelor të Hajzenbergut. Dhe krahas këtyre, mendojmë se Hajzenbergu është figura kryesore e zhvillimit të mekanikës kuantike. Arritjet e tij na detyrojnë, që atë ta klasifikojmë kaq lart në libër.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Lui Dager.