“MA GJENI NJË GRU QË S’DI Ç’ASHT’ DHUNA!”

0
104

Nga Valbonë Bajrami

ma gjeni një gru n’vendin tem që nuk i ka jetu
një nga njëzet e tetë strofat e Sylvia Plath
njëzet e tetë ditë t’përsërituna
derisa jeta t’i sprovon nandë shpirta e ndalon ciklin
me marr guxim me lëshu za
krejt n’liri
ma gjeni një të vetme pa zemërim
që e ka pa jetën në dritë syni
e s’di se ç’asht’ dhuna

-fizike, mendore, materiale-

një ma gjeni, që ka thye mite
s’përputhet me traditat
se ç’asht’ gru e mirë, e ndershme
sipas hireve që tjetër kush i ka thurë për mu e ty
ma gjeni një të vetme për lapidar
me kujtu, me i frymëzu
të nandë shpirtat buzë vdekjes
ma gjeni një
një të vetme
një për be
që nuk asht’ zonja Lazarus.