Në mungesë të të akuzuarit dështon të mbahet gjykimi për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim me trashëgimi

0
56

Dështon të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj S.V., dhe L.M., të akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim me trashëgimi, raporton Drejtësia Sot.

Mungesa e të akuzuarit L.M., dhe mbrojtësit të tij Arsim Bilalli, ka bërë që të dështoi seanca e sotme në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për mungesën e të njëjtëve mbrojtësi i të akuzuarit S.V., tha para gjykatës se të njëjtit nuk kanë mundur të paraqiten në shqyrtimin e sotëm si pasojë e COVID-19. Ndërkaq, gjyqtarja e rastit Shpresa Hasaj- Hyseni, tha se gjykata nuk ka pranuar ndonjë parashtresë lidhur me mungesën e tyre edhe pse të njëjtit janë thirrur në mënyrë të rregullt.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme nuk është mbajtur, ndërkaq e radhës u caktua më 24 dhjetor 2020.

Sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurorja Merrushe Llugiqi, i pandehuri S.V., në cilësinë e personit zyrtar- Noter ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që me datë 15.02.2016, në zyrën e tij në Podujevë rruga “Lordi Bajron” p.n, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që me qëllim që vetit apo tjetrit ti sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm ka përpiluar një Aktvendimin mbi Shqyrtimin e Trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjor G.M., B.M., S.M., A.M., R.M., dhe N.D., të trashëgimlënësit tani më të ndjerë R.M., Me ç ‘rast i pandehuri i lartcekur S.V., ka shpallë trashëgimtar ligjor të pandehurin L.M.,, nip i të ndjerit R.M., për një ngastër kadastrale në sipërfaqe prej 993 metër katror vendi i quajtur Melishta. Në këtë mënyrë iu ka mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjore të dëmtuarve të lartcekur, duke u shkaktuar dëm pasuror.

Pas marrëveshjes paraprake të pandehurit S.V., dhe L.M., në datën dhe vendin e lartcekur me anë të paraqitje së rreme të fakteve duke mos i informuar trashëgimtarët e tjerë ligjor/dëmtuarit në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e duke iu shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve kanë vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Podujevës, e cila e ka nxjerr Aktvendim , me të cilin ka aprovuar kërkesën e tani të pandehurit L.M., ku paluajtshmëria e lartcekur ka kaluar në emër të pandehurit L.M., e më ç ‘rast të pandehurit e lartcekur S.V., dhe L.M., iu kanë shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve të lartcekur.