“Diploma, shpresë a estetikë!”

0
67

Nga Flamur Foniqi

Atë ditë, m’përshendetën balli me djersë i babës dhe duart e nënës me miell. Një sfidë e re e priste t’birin e tyre, atë që qante sa herë që maje e lapsit thyhej. N’kryqytet pata shkelë me frikë, jo pse isha një fshatar i thuktë, por që prej uniformës blu t’gjimnazit, atë vend e pata pagëzu si kryeqytet t’ëndrrave e t’shpresave.
S’jam ndje i lodhun n’qytetin e kalldërmave, t’sirenave e t’marrsheve plot njerëz, por hapin e kam bërë kujdesshëm. Fjalët e llafet e shumta tashmë binin n’veshët e një shoqërie të re, t’një familjeje të dytë, mbrëmjeve e mëngjeseve. Shtëpi më ishin bërë konviktet, aty ku endeshin, qeshnin, loznin e mësonin, një soj njerëzish, studentët. Aty zgjoheshim me mjegullën e ktheheshim me mesnatën. Dhe s’kishte gjë më t’ëmbël, kur dëgjoje një vistër alarmësh mëngjeseve. Kur gjëmonin shkallët nga këmbët e studentit të vonë për në ligjeratë. Isha mësuar me atë jetë, pa e ditur që katër vite radhazi do t’më shoqëronte dhoma me tre shtretër dhe pritja e gjatë në menzë. Shpesh kur zotohesha n’lexim të gjatë, një porosi shokësh për kafenë e mbrëmjes, ma thyente mendjen. Rrinim gjer vonë, dhe kthehesha n’dhomën e vockël, pa u prishur gjumin cimerëve.
N’bibliotekë kënaqeshe tek shihje studentë t’zhytur ca n’botën e numrave e ca n’atë të shkronjave, ca n’botën e matjeve e ca n’botën e diskutimeve. Kur kumtoheshin provimet, uleshin kokat dhe thjeshtoheshin daljet me shokë. Sa mirë ndjehesha kur e dija që rrija në një botë që e zotëronim vetëm ne, e mbanim të gjallë dhe thirreshim në një emër.
Muzgjeve të premtave, një zhurmë valixhesh pushtonte oborr konviktesh. Me vrap ikja dhe unë, të ç’lodhësha paksa n’muret e shtëpisë në fshat. Të hënave, mblidhnim forcat për ditët në vazhdim, jetonim një jetë rutinë.
Sa e sa studenti i kishin rrahur ato rrugë, sa e sa studenti kishte qarë e qeshur brenda atyre dhomave. Ai kënd qyteti, është nji peshë e ëmbël n’jetën tonë, n’rrugëtimet tona.
Unë nuk isha i vetmi, ca të kohës sime e shumë më tepër para meje, n’atë vend kishin mbjellur shpresë e dëshira pafund…
Kemi punuar shumë për binarët e së ardhmës, që t’ishim udhëtarë të pazhgënjyer e optimistë.
Dhe vjen ajo kohë që s’na pyet, që një ditë ta ngrisim dorën lamtumirëse nga ai qytet, nga ai vend ku ndiheshim padyshim studentë, nga ai vend që na falte çaste më të mira n’orët e jetës…
Ne mbijetojmë, bëhemi kokfortë, por sikur dorëzohemi kur mendojmë të nesërmen…
Sikur e falim një kuartet vitesh për një shkrepje me ca profesorë pranë, me një copë letre në duar… I thonë diplomë, kurorë studimesh, rezyme mundimesh e sakrificash…
Pastaj, nuk na shqetëson gjë, pos t’ia gjejmë një vend t’rehatshëm e ta ruajmë si relikt, pa ia rrëfyer asnjeherë andrrën tonë rreth saj…
E di që s’mund t’më shani e as t’më përqeshni, se jeni si unë dhe njihni të tjerë si unë.
S’na mbetet gjë tjetër pos ta marrim, një shirit të zi t’ia vëmë në kend dhe vajshëm t’thurim monologje me të…
Me e kthy pak n’kujtime pas, me u zhytë e me përhumb n’odisjeadat që i kem kalu, me i rikthy marrshet e fuqishme t’shpresave, pa e mendu ekzistencën e dorëzimit. Shoqërinë pos me kriju e me nxanë, duhet edhe më i shërby, me lanë gjurmë, por ku me e gjetë mundesinë?
Pse me lanë nji frymë pesimiste me na i goditë dëshirat e hekurta. Duhet me qenë pararojë e asaj që na kulmon n’mendje e n’shpirt.
Por rrotull nesh, po mbretëron e zeza n’mozaik t’ngjyrave tona dhe meqë po e lejojmë, jemi vet xhelat n’qafën tonë.
Tash ka mbetë diçka, diplomën me lanë si estetikë t’varun n’mur, në një mur që s’ka rrëzim,
pa shtyrje t’forcës rinore…
Dhe ka mbetë prapë diçka e bukur, një nanë e babë, një familje, një shoqëri, që n’çdo zhgënjim t’thonë prapë mëso…
Edhe keta janë ngopë me këso historish, mos qoftë rrëfenjë e gjatë kjo letër!